Futboll

Gega nxjerr blof Partizanin, Tirana konfirmon Memën

Trajneri kampion i Superiores, Skënder Gega, është pranë kalimit në kampionatin kosovar. Ai është në bisedime me drejtuesit e Prishtinës për të marrë drejtimin e kësaj skuadre, që dy sezonet e fundit është drejtuar nga një tjetër trajner shqiptar, Mirel Josa. Ky i fundit është ende në detyrë, por duket se pas ndeshjeve europiane të Prishtinës, do t’ia lërë stafetën Gegës. Për momentin është gjithçka në kuadrin e bisedimeve, nuk ka asgjë zyrtare, si nga klubi prishtinas, ashtu edhe nga ish-trajneri i Partizanit.

Kalimi i mundshëm i Skënder Gegës te Prishtina, apo edhe në ndonjë skuadër tjetër, në një farë mënyre do të nxirrte blof Partizanin. Klubi i kuq njoftoi disa ditë pas festës së madhe të titullit kampion ndërprerjen me konsensus të kontratës me trajnerin që i riktheu trofeun pas 26 vitesh. Në njoftimin zyrtar të Partizanit thuhej se trajneri kishte arsye personale që ndërpreu kontratën, ndërkohë që në ambientet sportive u përhap lajmi se Gega do t’i qëndronte pranë bashkëshortes, pasi ajo ka problem shëndetësore. Tani, fakti që Gega është në kërkim të një aventure të re, do të thotë se largimi i trajnerit ishte i parapërgatitur nga klubi i Partizanit dhe se ndërprerja e bashkëpunimit ka qenë e imponuar dhe jo me konsensus.

Ardian Mema, trajner i Tiranës edhe sezonin e ardhshëm

Klubi tjetër kryeqyetetas, Tirana, ka konfirmuar në detyrën e trajnerit edhe për sezonin e ardhshëm Ardian Memën. Ky është një lajm zyrtar, pasi është publikuar në faqen e Tiranës. “Ardian Mema konfirmohet në krye të skuadrës. Edhe një vit kontratë me opsionin për të vijuar sëërish në drejtimin bardheblu. Klubi ka nisur punën për të bërë gati skuadrën e sezonit të ri dhe i pari është rikonfirmuar trajneri. Mema, prej muajit tetor ka marrë drejtimin e Tiranës dhe tani e nis nga e para sërish me skuadrën e sezonit 2019-2020”, - shkruan klubi kryeqytetas në njoftimin zyrtar. Këtë herë trajneri Mema ka mundësinë ta ndërtojë vetë skuadrën, me lojtarët që dëshiron ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë