Futboll

Gega: Në Shqipëri paragjykohet gjithçka, Partizani respekton veten

Humbja me Luftëtarin në kryeqytet, edhe pse nuk pati pasoja për objektivin e titullit, ka lënë shije të hidhur te Partizani, që ka shansin ta fshijë shumë shpejt nga memoria atë disfatë. Të mërkurën pret Skënderbeun në “Selman Stërmasi” dhe reagimi është detyrim për të kuqtë, të cilëve nuk u falet një tjetër gabim, pavarësisht rezultateve të rivalëve. Partizanit i duhet të fitojë për të bërë “paqe” me tifozët, por edhe për të larguar çdo hije dyshimi për tolerim në ndeshjen me Luftëtarin.


Trajneri Skënder Gega, i cili doli në konferencë shtypi bashkë me mesfushorin Esat Mala, ka theksuar mes të tjerash se nuk i intereson aspak opinioni i të tjerëve për skuadrën e tij. Sipas tij, në Shqipëri paragjykohet gjithçka, madje edhe kampionatet e huaja. Gega ka premtuar se skuadra do të reagojë ndaj Skënderbeut pas asaj humbjeje të papritur me Luftëtarin, duke korrigjuar gabimet që u bënë në atë ndeshje:

“Kalendari është i caktuar dhe nuk kemi asgjë në dorë. Ndeshja me Skënderbeun luhet shpejt dhe lojtarët janë të ngarkuar fizikisht, ngaqë kemi luajtur disa ndeshje radhazi në pak ditë. Partizani vjen nga një humbje e papritur dhe do të ishte mirë, nëse do të kishim pak më shumë kohë, por nuk kemi çfarë të bëjmë. E kemi analizuar me hollësi ndeshjen e fundit dhe është e rëndësishme të ndërgjegjësohemi. Gabuam në një moment të papërshtatshëm dhe besojmë se me Skënderbeun do të korrigjohemi”, - ka thënë trajneri Gega në lidhje me humbjen me Luftëtarin.

Nga ndeshja Partizani-Luftëtari, 1-3

Trajneri i të kuqve, i pyetur për paragjykimet e opinionin për humbjen e fundit të Partizanit, është përgjigjur: “Varet kush na përflet, nëse dikush ka argumente teknike, jam gati të ballafaqohem me të. Unë e di sa fort kemi luftuar për të arritur këtu ku jemi, e njoh veten. Në Shqipëri paragjykojnë edhe kampionatet e huaja jo kampionatin tonë. Jemi të ndërgjegjshëm për atë që bëjmë, respektojmë çdo opinion, por më shumë respektojmë veten. Gjithmonë thonë se Partizani është ekip cinik dhe se nuk bëjmë lojë. Kemi shënuar shumë gola në ndeshje të caktuara, por ndoshta është “faji” i mbrojtësve kundërshtarë. Kanë mbetur edhe 8 javë dhe hallet i kalojmë bashkë. Më erdhi jashtëzakonisht keq për humbjen me Luftëtarin. Në futboll ka surpriza dhe për fat të keq na ndodhi ne. Premtimi ynë për tifozët është se do të reagojmë menjëherë. Ata që kanë mbushur barkun me opinione të ndryshme dhe ata që nuk duan ta shohin Partizanin këtu ku është, nuk më interesojnë fare”.

Gega ka prekur më tej edhe disa çështje të tjera, mes tyre edhe situatën që po kalon Tirana: “Pas humbjes së Kukësit pati entuziazëm brenda ekipit dhe kjo ndoshta ka ndikuar në humbjen me Luftëtarin. Ndoshta e ulëm ritmin. Mora përgjegjësitë për atë humbje dhe tani shohim përpara. Humbjet në kupë dhe kampionat bëjnë të duket sikur jemi në krizë, por mendoj se është vetëm një periudhë e keqe. Kemi pasur shumë dëmtime dhe jemi munduar t’u japim besimin e duhur atyre që i kanë zëvendësuar. Na janë kthyer disa lojtarë të rëndësishëm dhe kjo është pozitive.

Atanda? Ai ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm. Ka bërë një gabim, por unë mendoj se ka gabuar gjithë ekipi, edhe Alban Hoxha ka gabuar. Askush nuk është perfekt. Atanda ka besimin tim të plotë. Kur mora drejtimin e Partizanit, ai ishte me çantë në dorë, por ka bërë një sezon shumë të mirë. Për titullin asgjë nuk ka përfunduar, janë edhe shumë ndeshje. Skënderbeu përbën interes, sepse është ekipi kampion. Derbi? Personalisht, mendoj se derbi është aset i jetës shqiptare. Uroj që Tirana të jetë gjithmonë në derbi. Është për të ardhur keq, nëse dikush gëzohet se kampionati shqiptar nuk ka elitën dhe ekipet me traditë. Uroj të kthehen Lushnja, Elbasani e Vllaznia, që jeta dhe sporti të jenë më mirë në Shqipëri”, - ka përfunduar Gega.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë