Atletike

Gega në histori, e para sportiste shqiptare në finalen e një Botërori atletike

Luiza Gega vazhdon të shkëlqejë. Atletja e garave të gjata është e vetmja që përfaqëson Shqipërinë në Botërorin e atletikës, që po zhvillohet në Katar. Sot ajo ka bërë një garë shumë të mirë, duke u kualifikuar por në finalen e 3000 metrave me pengesa, që është edhe specialiteti i saj.

Gega regjistroi kohën 9:28:32 dhe kështu bëhet atletja e parë shqiptare, e cila merr pjesë në finalen e një Botërori atletike. Një objektiv i arritur për Gegën. Në baterinë e saj Luiza zuri vendin e 5-të, megjithatë koha e saj ishte e mjaftueshme për t’u kualifikuar në fazën finale, ku marrin pjesë 15 atlete nga 42 që konkurruan.

Koha e Gegës ishte 6 sekonda larg rekordit kombëtar. Finalja e 3000 metrave me pengesa do të zhvillohet më 30 shtator dhe atletja 30-vjeçare synon të arrijë një rezultat sa më të mirë, pse jo dhe medalje. Luiza Gega është ndër të vetmet sportiste që shkon në kompeticionet madhore me rezultatet e saj dhe jo me ftesa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë