Futboll

Gega largon presionin: Fitojmë derbin dhe kampionatin

Në prag të derbit në fazën më delikate të kampionatit e rëndësishme është që të mbahet larg presioni. Këtë gjë ka bërë edhe trajneri i Partizanit, Skënder Gega në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para ndeshjes me Tiranën. Trajneri i të kuqëve në fjalën e tij u kujdes të thoshte disa herë që ndeshja me bardheblutë është si gjithë të tjerat për ekipin e tij dhe se nuk kanë bërë ndonjë përgatitje më shumë për të dalë sërish më tre pikë.

“Nuk ka ndryshim nga ndeshje e radhës dhe s’ka asgjë ekstra. Është i njëjti regjim dhe punohet sipas kundërshtarit por nuk ka gjë ndryshe. Kam dëshirë të fitoj derbin dhe më pas të fitojmë kampionatin. Ne dalim në fushë për të fituar ndeshjen pa pasur plane afatgjata. Duhen marrë ndeshjet me radhë dhe tashmë duhet të fitojmë derbin. Të japin 100% dhe të marrim maksimumin nga kjo sfidë.”- tha Gega.
Edhe pse në fjalën e tij se përballja me Tiranën është si gjithë të tjerat, Gega nuk mundi të fshihte dozat e emocioneve që ka kjo ndeshje për të personalisht, por edhe për futbollistët e tij. “Historia është histori dhe çdo javë është diçka e re. Nëse i kthehemi gjërave mbrapa nuk të ndihmojnë, presioni ynë është vazhdimësia dhe ajo që ne po fitojmë derbin kaq kohë, është e kaluar. Fatmirësisht këto ndeshje ndodhin rrallë. Presioni është i pashmangshëm, nuk kemi probleme fizike, jemi të qetë. Do të jemi të qartë në atë që do të bëjmë. Janë dy klube me histori dhe presioni është i pashmangshëm. Nuk kemi probleme fizike dhe duhet të jemi të qartë për atë që do të bëjmë.”

Tekniku i Partizanit me tej tha se në futboll çdo rezultat është i pritshëm, por ai është i fokusuar në arritjen e objektivave deri në fund të sezonit. “Ne po mundohemi të marrim më të mirën dhe asgjë nuk është perfekte. Jo çdo gjë është ekzakt, por ne synojmë të arrijmë objektivat tona. Në futboll ka të papritura por ne kemi grupin për të marrë më të mirën dhe ky nuk është një sekret. Ne mund të ndalojmë pasi ky është futbolli por jemi të bindur që do të shkojmë para. I vlerësojmë të gjithë kundërshtarët pasi është fazë ku nuk duhet të gabojmë. Pikët janë të rëndësishme dhe pas 13 ndeshjesh na duhen pikët që na interesojnë. Si ndaj Kukësit, si ndaj Luftëtarit për mua të gjitha janë njëlloj.” Në fund të fjalës së tij numri një i pankinës së Partizanit ka folur edhe për mungesën e tifozëve në dy ndeshjet e radhës. Gega tha se tifozët janë një suport shumë i madh për ekipin e tij dhe disa individë të veçantë nuk mund ta prishin harmoninë e lojtarit të 12-të të kësaj skuadre që gjithmonë janë të shumtë në shkallët e stadiumeve. “Ndjej keqardhje pasi një grup nuk rëndon punën tonë dhe mbështetjen e tifozëve. Pjesa e shëndoshë nuk gaboi dhe mbështeti ekipin. 3-4 u ndanë dhe klubi mbajti qëndrimin e vet. Shpresoj të mos përsëritet më dhe na rëndon pasi duam ndeshje me tifozë dhe plot, siç e meritojmë. Do të bëjmë të pamundurën ta kalojmë shpejtë këtë moment që nuk do të kemi tifozët në krahë.”

I pranishëm në konferencën për shtyp në krah të Partizanit ishte dhe mesfushori Bruno Telushi. Vlonjati, që ka qenë një nga futbollistët më të spikatur gjatë këtij sezoni me fanellën e kuqe tha se atmosfera brenda grupit është shumë e mirë dhe që shpreson në marrjen e tre pikëve, pak rëndësi ka se kush e shënon golin. “Derbi është një ndeshje që mezi pritet. Ka javë që mendohet për derbin, por ne kemi menduar për ndeshjen e radhës. Është ndeshje me emocione, në stërvitje kemi qenë të qetë me këmbë në tokë. E shikojmë si ndeshje radhe. Për mua s’ka rëndësi kush shënon, mjafton të fitojmë. Çdo ndeshjet duhen vlerësuar në maksimum në këtë fazë.”- tha mesfushori ndër të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë