Futboll

Gega kërkon rikthimin te fitorja në shtëpi: Flamurtari ka kualitet

Humbja me Laçin javën e shkuar u duk sikur e zbehu pak atmosferën në kampin e Partizanit kryesues. Por trajneri, Skënder Gega kërkon që ta nxjerrë sa më shpejtë skuadrën e tij nga kjo gjendje, për të shmangur ndonjë krizë të mundshme në këtë pikë të kampionatit. Në prag të ndeshjes me Flamurtarin në “Selman Stërmasi”, Gega ka folur në konferencën e zakonshme për shtyp. Në fjalën e tij trajneri i të kuqve fillimisht u ndal në analizimin e asaj humbje në Laç. Për Gegën dihej që ajo ndeshje do të ishte e vështirë, por tashmë ajo duhet hedhur pas krahëve dhe duhet ngritur koka lartë dhe të shikohen sfidat e radhës.

“Ndeshja e kaluar është e kaluar dhe kishte të mirat e të metat por shohim nga Flamurtari. Nuk e di për Laçin, por besoj se kështu funksionon futbolli pasi edhe në klube më të mëdha ndodhin këta dhe nuk e di pse apo si janë thyer. Ne fokusohemi te puna jonë pasi jemi në rrugët e duhur pasi kemi nxjerrë mësime nga gabimet tona. Jetojmë në një vend të vogël ku ka ndërhyrje dhe flitet me zë e figurë dhe nuk kam thënë se vdiq futbolli. Nuk u bë lojë por kishte shumë ndërprerje dhe nuk kishte futboll të rrjedhshëm. Nuk do të dal nga vetja ime pasi jemi ardhur me djersë dhe nuk i kemi borxh askujt dhe duke lënë anash fjalët rreth klubit dhe rreth nesh. Kjo është e gjithë ideja.”

Më tej duke kaluar në analizimin e ndeshjes së të shtunës me Flamurtarin, trajneri Gega tha se ekipi vlonjat me gjithë problemet e mëdha që ka, sërish mbetet i rrezikshëm.
“Çdo ndeshje e lehtë merret vesh vetëm pas 90 minutëshit. Flamurtari ka kualitet dhe jemi në gjendje optimale përveç Hysenit. Rexhepi është rikthyer dhe do të shohim. Është e drejtë dhe normale që një ekip profesionist mos të ndikohet dhe të vlerësojë çdo gjë dhe kanë ikur, por mund të ketë të tjerë me dëshirë më të madhe dhe futbolli është i paparashikuar. Nuk besoj se do të ketë ndryshime në mënyrën si luhet.”

Ndërkohë për sa i përket rivalëve për kreun, Gega i shikon njëlloj të rrezikshëm si Teutën edhe Kukësin. Trajneri i Partizanit ka larguar edhe polemikat që dolën pak ditë më parë me presidentin e Kukësit, Safet Gjici, duke thënë se nuk merret me asnjë me gjithë respektin që ka për të gjithë presidentet e ekipeve të Superiores. “Kukësi e Teuta nuk kanë luajtur kundër nesh dhe jemi në situatë të barabartë.”- tha Gega. “Kemi ndeshje direkte dhe do t’i marrim një nga një. Në javët e para është pyetur për trofe por do t’ia lëmë kohës dhe do të marrim çdo ndeshje një nga një. Unë asnjëherë nuk jam marrë dhe kur është pyetur për Gjicin kam thënë se është e drejta e tyre dhe asnjë futbollist apo drejtues nuk është marrë. Kemi bërë koment për atë që është thënë për ne dhe me gjithë respektin për Gjicin, nuk merrem fare me asnjë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë