Futboll

Gega flet si korçar: Skënderbeu sfida ime, s’është e thënë të drejtosh vetëm ekipe kreu

Gazeta Si - Klubi i Skënderbeut ka bërë sot prezantimin e trajnerit Skënder Gega, i cili është zgjedhur nga presidenti Ardjan Takaj si pasues i Migen Memellit. Gega, falë eksperiencës që ka, shihet si njeriu që mund ta shpëtojë ekipin korçar nga rënia. Gjatë prezantimit, Gega u shpreh:

“Jemi miq me presidentin Takaj dhe dashamirësia nuk ka munguar as kur kemi qenë kundërshtarë. Këtë profesion e dashuroj dhe nuk është e thënë të jesh vetëm tek ekipet e vendeve të para. Ndihem i respektuar të jem në krye të ekipit të një qyteti si Korça dhe jam optimist për të ardhmen. Ekipi është i mire dhe do t’i marrim me qetësi problemet, thelbësore është t’i besojmë njëri-tjetrit.

Skender Gega, trajneri i ri i Skenderbeut. Gazeta Si, 10 mars 2022

E shoh Skënderbeun si pretendent për të bërë hapa para gradualisht. Më pëlqen që kampionati ka rivalitet dhe kjo është sfida ime. Kam ardhur për presidentin Takaj dhe Skënderbeun në një moment të vështirë, kam parë grupin dhe të besojmë te njëri-tjetri, sepse pa optimizëm nuk vazhdohet përpara në futboll. Memelli ka bërë punë të mire, fati i ka munguar. Skënderbeu ka potencial për të dhënë më tepër, ka djem të rinj. Lojtarët të kenë këmbët, mendjen dhe zemrën, asgjë nuk u mungon.

Skënderbeu ka edhe traditë, ka fituar tituj, pse të mos vazhdojmë në të njëjtën rrugë. Ndeshja me Laçin është shumë e vështirë, ata janë ndër ekipet më të mira të Superiores. I respektojmë, por do tentojmë të bëjmë më të mirën tonë”.

Trajneri Gega u prezantua nga vetë presidenti Takaj, i cili mes të tjerash ka theksuar se pret që Skënderbeu të falet nga UEFA dhe të të rikthehet në nivelet e tij të viteve të fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë