Nga Irena Beqiraj – Kur ish-kolegu im, ish-ministër i Brendshëm përdori gaz lotsjellës edhe ujë për të shpërndarë protestuesit e Bashës para Kryeministrisë, të cilët nuk ishin më pak të dhunshëm nga këto të sotmit, pamjet ishin trishtuese.
Protestusit vunë zjarr tek dera e mbyllur me llamarina e KM. Debati ishte i zjarrtë …..a mund të mbrohen institucionet publike me gaz lotsjellës kundër protestuesve?
Basha edhe eksponentë të PD e “masakruan” Lleshin edhe Ramën për përdorimin e tij. Por koha është tirani më i madh. Siç thotë populli “mos pështy sipër, se të bie në fytyrë”.
Sot, në fytyrën e Bashës kanë rënë haptas gjithë “PËSHTYMA E QELBUR” që dikur hidhte mbi Lleshin edhe Ramën. E pra, Rama ka të drejtë të na ulërasë në fytyrë, që është vite drite mbi Bashën, i cili sot gazin dhe policinë e “Ramës” i përdori kundër demokratëve të TIJ.
Veprimi i sotëm përfundimisht e shpërbleu opozitën. Kush ishte arsyeja apo fajtori për një qytetar të thjeshtë, nuk ka fare rëndësi. Rezultati i asaj që ndodhi sot, ka rëndësi.
Nga ky moment, PD-ja e Bashës, nuk bën dot më opozitë kundër Ramës. Nga sot, PD-ja e Bashës e vulosi të ardhmen e saj. Ajo nga sot, është partia më e vogël opozitare moralisht dhe realisht.
Basha nga sot duhet të heshtë, nuk mund të protestojë më kundër Ramës. Rama është maestroja, ndërsa Basha është thjesht zhgaravina e tij.
Uroj që të jetë ky akt një “shkatërrim krijues”. Një opozitë e re duhet të ngrihet gërmadhash, nuk ka rëndësi emri, aq më pak selia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.