Treg

Gazi i lëngshëm-SHBA ka një plan për Shqipërinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po hulumtojnë potencialin e penetrimit dhe aplikimit të Gazit të Lëngshëm Natyror (GNL) në Europën Qendrore dhe Lindore, pjesë e të cilit mund të bëhet edhe Shqipëria. Nën-Sekretari i SHBA për Energjinë nga Fosilet, Steven Winberg, i cili ishte ditët e fundit në Tiranë, tha në një intervistë për Emisionin 31 Minuta në RTSH se ka mundësi për Shqipërinë dhe për rajonin më gjerë që të shfrytëzojë gazin natyror në formën e gazit natyror të lëngshëm që do të vinte nga SHBA. Ai shton se ekziston potenciali që Shqipëria të jetë një qendër hyrëse e gazit. “Transporti i GNL do të jetë patjetër nga deti. Më pas pyetja është: a do të ndërtojë Shqipëria apo një vend tjetër në rajon një terminal importi, ai që e quajmë terminal rigazifikimi”, pohon ai.

Winberg  shton se ka një interes kaq të lartë politik për një çështje biznesi, pasi i ofron rajonit alternativa të besueshme, alternativa energjie që janë të sigurta, të kontraktuara në bazë të shtetit ligjor të SHBA.

 Intervistë me z. Steven Winberg, Nën-Sekretari për Energjinë nga Fosilet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Qeveria e SHBA-ve do të shpallë një studim mbi përdorimin e GNL, i cili do të përqendrohet tek Shqipëria dhe tek rajoni. Pse mendoni se ia vlen dhe sa do të zbatohet ky projekt?

Arsyeja pse qeveria e SHBA mendon se ky projekt ia vlen është sepse ka mundësi për Shqipërinë dhe për rajonin më gjerë që të shfrytëzojë gazin natyror në formën e gazit natyror të lëngshëm që do të vinte nga SHBA. Tregjet tona të gazit natyror po rrriten shumë shpejt. Mund t’ju them që në fund të këtij viti, do të jemi në 100 miliardë metër kub në vit. Me ç’ka është në ndërtim ose në funksionim, që do të kemi në dispozicion në tre-katër vitet e ardhshme, do të jetë mbi 164 miliardë metër kub. Ajo që kemi autorizuar por nuk është ndërtuar ende dhe mund të ndërtohet nëse do të ketë treg, është 400 miliardë metër kub. Një rritje me rreth katër herë krahasuar me atë që do të kemi në fund të këtij viti. Mendoj se kjo i jep rajonit një mundësi për të pasur diversitet energjitik dhe siguri energjie nga GNL nga SHBA sepse tek ne sundon shteti ligjor. Mendoj se në rastin e Shqipërisë, ka mundësi që të jetë fillimi, të jetë një lloj qendre nëse mund ta themi kështu, çka do ta lejonte GNL që të arrinte tek vendet përreth për ta forcuar vërtet rajonin.

A mendoni se Shqipëria do të jetë vetëm një segment i tregut apo një pikë rajonale? Dhe transporti, do të jetë në rrugë detare apo edhe mënyra të tjera?

Mendoj që ekziston potenciali për të qenë një qendër. Transporti i GNL do të jetë patjetër nga deti. Më pas pyetja është: a do të ndërtojë Shqipëria apo një vend tjetër në rajon një terminal importi, ai që e quajmë terminal rigazifikimi. Sepse GNL vjen në gjendje të lëngshme të ftohtë dhe më pas duhet ngrohur për t’u shndërruar mbrapsht në gaz natyror. Mund të bëhet. Një tjetër mundësi, në vend që të ngrihet gjithë ajo infrastrukturë në fillim, është që të ngrihet një gazsjellës virtual. Pra, sjellim GNL, e vendosim në kontenierë të më të vegjël që mund të transportohen me kamionë apo hekurudhë aty ku është kërkesa e tregut. Pra, teksa ndërton këtë kërkesë tregu, pas tyre vijnë tubacionet sepse ndoshta ka më shumë kuptim ekonomikisht se sa ta ndërtosh tubacionin që në fillim. Pra, mendoj që është një operacion me dy a tre faza këtu, që për ne duket shumë tërheqës dhe besoj duket tërheqës së pari për Shqipërinë, por edhe për rajonin më gjerë.

Pse ka një angazhim të një niveli kaq të lartë politik për një çështje të lidhur ngushtë me biznesin?

Për dy arsye. Një pjesë e përgjegjësisë sime është të autorizoj GNL në SHBA për eksport dhe kemi interes të eksportojmë mallrat tona. Në këtë rast flasim për GNL, por mund të ishte naftë, produkte bujqësore, një gamë e gjerë, që edhe pse prodhohet nga sektori privat në SHBA, është qeveria amerikane që ndihmon. E dyta ishte?

Pse nivel kaq i lartë politik për një çështje thjesht biznesi?

Sepse i ofron rajonit alternativa të besueshme, alternativa energjie që janë të sigurta, të kontraktuara në bazë të shtetit ligjor të SHBA. E dini që nëse një kompani shqiptare apo qeveria shqiptare kontrakton një produkt në SHBA, ai produkt do të dorëzohet. Nuk do ngecë për ndonjë arsye politike. Mund të mbështeteni tek shteti ligjor kur merreni me SHBA.

Gazi përdorej në vitet ’90 në industritë e mbetjeve dhe naftës, energji, dhe pak për banesa. Ku mund të përdoret sot?

Mendoj se si fillim, ndoshta prodhim energjie. Shqipëria është e bekuar me kaq shumë energji hidrike, por në periudha thatësire, si ajo që sapo kaluat, ju duhet të importoni energji dhe këtu është mundësia për të gjeneruar energjinë tuaj, duke përdorur gaz natyror shumë të pastër. Teknologjia më eficiente e SHBA në botë mund të sillet në rajon duke shfrytëzuar GNL. Më pas ekzistojnë mundësi për t’u zgjeruar prej aty, për shembull, në sektorin industrial, ngrohjen e banesave, sektorin e transportit ku reduktohen ose eliminohen fare çlirimi i gazrave të naftës në industrinë e transportit me kamionë; mund të jetë në formën e gazit natyror të lëngshëm ose gazit natyror të kompresuar. Shumë më i pastër, shumë më efficient, madje më pak i zhurmshëm.

Shqipëria ka një termocentral të ndërtuar me ndihmën e BB prej vitit 2010 por nuk prodhoi kurrë energji për shkak të kostove të larta. Ka një tendencë për ta vënë në punë me anë të gazit. A jeni në dijeni të kësaj dhe çfarë mendoni për të?

Ky është termocentrali i Vlorës? Jam në dijeni. Kemi zhvilluar tashmë disa diskutime për të dhe mendoj se ndoshta mund të ishte ajo spiranca për të ndërtuar atë që më herët e quajta gazsjellësi virtual. Shndërrimi i atij termocentrali në gaz natyror, riparimi ose përditësimi i disa sistemeve të centralit, dhe më pas ardhja e GNL në kontenierë për ta furnizuar centralin – me përditësimet e duhura – do të ishte një nga centralet më eficientë, më të pastër në Evropë.

Sipas mendimit tuaj, cilat janë përfitimet e Shqipërisë me zhvillimin e sektorit të gazit?

Mendoj se ka disa përfitime. Folëm për sigurinë e energjisë, stabilitetin e furnizimit, duke ditur që gazi do të dorëzohet në kohë dhe me çmimin e negociuar. Përtej kësaj, mendoj se ka përfitime si ato që përmenda, zëvendësimi i naftës, e cila çliron shumë më tepër gazra. Po ashtu, mendoj që nëse një central si i Vlorës shndërrohet në gaz natyror, do të keni energji të besueshme, me kosto të ulët, të pastër dhe vjen edhe gazi natyror i lëngshëm, pra ka mundësi për të rritur prodhimet dhe industrinë në Shqipëri. Kjo nënkupton vende pune, përparim ekonomik. Pra, mendoj se ka përfitime të shumëfishta në Shqipëri dhe siç e përmenda në rajonin më gjerë për ta përdorur këtë burim të bollshëm që kemi në SHBA dhe që jemi të lumtur ta ndajmë me miqtë tanë dhe aleatët tanë.

Një vlerësim i Bankës Botërore mbi sigurinë kibernetike nxori në pah se Shqipëria është ende faza embrionike të zhvillimit të sigurisë. Gazsjellësit dhe projektet të lidhura me gazin cilësohen si infrastruktura kritike. A mendoni se Shqipëria ka kapacitete teknike për të përballuar të tilla angazhime duke mos vënë në risk veten dhe partnerët?

Absolutisht. Varet nga çdo vend e çdo qeveri që të sigurohen për të trajtuar sigurinë kibernetike. E di që Departamenti i Shtetit i SHBA po punon tani mbi sigurinë kibernetike me qeverinë shqiptare dhe siç përmendët, edhe sigurinë fizike. Kemi shumë aktivitet në SHBA në këtë fushë shumë shumë kritike. Ndaj po punojmë me aleatët dhe partnerët tanë kudo në botë dhe sigurisht e shohim Shqipërinë si një prej tyre.

Qeveria e SHBA e ka ndihmuar Shqipërinë për disa kohë për mbikqyrjen teknike, licensimin e ekspertëve dhe trajnime në sektorin e hidrokarbureve. Si ka qenë ecuria e kësaj asistence?

Mendoj se po shkon shumë mirë. Ka shumë punë ende për të bërë. Nuk do thoja se jemi në fillim, por kemi rrugë për të bërë dhe gjërat janë pozitive. Ka shumë për të mësuar dhe për të ndodhur dhe ne do ta vazhdojmë këtë aktivitet.

Pas gazsjellësit TAP duket se ka një vëmendje për ndërlidhje rajonale të infrastrukturës së gazit dhe prej kohësh po lakohen edhe dy gazsjellës si IAP dhe ai me Kosovën? A shihni leverdishmëri në këto projekte?

Mendoj se është një çështje që duhet t’i përgjigjet Shqipëria. Ajo që do të sugjeroja është që nëse ka pasiguri për përfitimin tregtar të këtyre gazsjellësve, një hap më i vogël do të ishte të përdorej ajo që e quajmë një gazsjellës virtual. Nuk ndërton infrastrukturën gjigande nëse nuk je i sigurt që ka kërkesë të mjaftueshme. Mund të sjellësh ato që i quajmë iso-kontenierë, të cilët e mbajnë GNL në gjendje të lëngshme të ftohtë deri sa arrin në destinacionin ku do të përdoret. Kjo të jep fleksibilitet të jashtëzakonshëm. Sjell iso-kontenierët, shfrytëzon GNL në vendin ku ekziston kërkesa. Me rritjen e kërkesës, mund të jetë logjike të ndërtosh tubacionet. Pra, e bën këtë dhe pastaj çon iso-kontenierët në një vend tjetërku do të zhvillosh mundësi ekonomike. Pra, është shumë shumë fleksibël dhe mund të krijojë atë që e shoh si fazën e parë me risk të ulët ekonomik dhe pastaj fazën e dytë, ku ndoshta vijnë tubacionet që mund të ngrihen në afatgjatë pasi kërkesa të ketë arritur një pikët ku është logjike të ndërtohet tubacioni.

A janë këto investime në GNL edhe një mënyrë që Shqipëria të minimizojë influencat nga faktorë të tjerë, të tillë si rus apo konjuktura të tjera lindore?

Absolutisht. Çdo vend që sjell GNL është duke sjellur një produkt për të cilin ka një kontratë. Dhe këtu ka siguri ekonomike dhe tregtare. Kjo sjell siguri ekonomike dhe kombëtare sepse nuk je më i varur nga një vend që mund të vendosë, po e quaj kështu, ta mbyllë rubinetin dhe kur kjo ndodh në një ditë të ftohtë si e sotmja, mund të krijonte vështirëzi të jashtëzakonshme. Me ardhjen e GNL, ekziston siguria e furnizimit dhe ligjet që kemi në SHBA dhe marrëdhënia kontraktuale që do të sigurojnë që produkti do të vijë në kohë dhe atëherë kur ju duhet.

Së fundi, kthehemi përsëri tek GNL, kur mendoni se do të shohim një projekt konkret për të që shqiptarët të mund të shohin rezultate të prekshme?

Nuk kam një përgjigje të saktë për atë pyetje, por mund t’ju them që seminari që u zhvillua dje do të ofrojë disa përgjigje për këtë sepse do të ndihmojë për të hartuar një udhërrëfyes. Tek e fundit, Shqipëria ka përgjegjësi për nevojat e veta të energjisë dhe qeveria shqiptare, me palët e tjera, mund të marrë rezultatet e seminarit, të kuptojë cilat janë nevojat, dhe të zhvillojë një udhërrëfyes kalendarik me afate. Kjo do ta informojë procesin se kur Shqipëria mund të fillojë të shfrytëzojë përfitimet e importeve të GNL në vendin tuaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë