Politike

Anëtarësimi i Shkupit ndahet nga Tirana? Konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë, në qershor

Pas shumë vite pritjesh, Shqipëria mund të jetë një muaj larg nisjes zyrtare të negociatave me Bashkimin Europian. Komisioni Europian pritet të japë dritën jeshile për mbajtjen e konferencës së parë ndër-qeveritare me Shqipërinë në qershor, por nuk ka konfirmuar ende nëse do të mbahet edhe me Maqedoninë e Veriut.

Lajmi është konfirmuar nga gazetari i Euronews në Bruksel, Jack Parrock, i cili shkruan sot përmes një shënimi në Twitter. Parrock thotë se burime i kanë konfirmuar se Komisioni do të rekomandojë mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare në samitin e qershorit të liderëve të Bashkimit Europian.

“Komisioni Europian do të propozojë një lëvizje të madhe për procesin e pranimit të Shqipërisë. Burimet më thonë se Komisioni do të rekomandojë mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare në samitin e qershorit të liderëve të BE. Më pas, vendet e BE do të zgjedhin nëse do ta pranojnë”, shkruan Parrock.

Pak deklaratës së tij ka reaguar edhe zëdhënësja e Komisioni Europian, e cila deklaroi se pret që procesi i zgjerimit në Ballkanin Perëndimor të vijojë sa më parë me konferencën ndërqeveritare si me Shqipërinë. Ana Pisonero theksoi në një konferencë për shtyp se “KE sheh përpara mbajtjen sa më parë të konferencës ndërqeveritare”.

Pisonero nuk ka pranuar t'i përgjigjet pyetjes nëse KE po mendon për ta vijuar procesin e integrimit për Shqipërinë veçmas Maqedonisë së Veriut, por tha se KE po punon për negociatat me të dyja vendet. Shkupi duket se ka ende një situatë të bllokuar politike me Sofijen për sa i përket çështjeve të kontekstit historik. Deri vitin e shkuar nga vendet e BE është mbrojtur qëndrimi që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të vijojnë hapat njëkohësisht dhe të mos ndahen në proces. Por sot u raportua se KE mund të propozojë më parë nisjen e konferencës ndërqeveritare me Shqipërinë.

Lajmi u sinjalizua edhe nga , Olta Xhaçka në intervistën e parë që nga marrja e detyrës së kryediplomates, kur deklaroi se marrja e datës për konferencën ndërqeveritare që çel zyrtarisht negociatat me BE, do të bëhet e munduar brenda muajit qershor.

“Mendoj që është plotësisht e mundur, madje kemi pasur disa bashkëbisedime shumë pozitive edhe me Komisionerin për zgjerimin Varhelyi, por edhe me Ministrin e Jashtëm Portugez, vendi i të cilit mban Presidencën e Këshillit deri në 30 qershor. sipas fjalëve të tyre, sipas mbështetjes edhe konfirmimit që kemi marrë edhe nga partnerët e tjerë, pra anëtarë të BE, deri tani për të gjitha arritjet dhe kushtet e plotësuara ne presim që korniza negociuese edhe Konferenca e Parë Ndërqeveritare të bëhen brenda 6-mujorit të parë të këtij viti”, tha ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë