Futboll

Gatuzo i ka orët të numëruara, Milani zgjedh Poketinon

Për rënien e Milanit në javët e fundit kanë ndikuar disa faktorë, por kuptohet që trajneri ka përgjegjësitë e veta. Shpesh Gatuzo ka marrë komplimente, por në raste të caktuara ka pasur edhe kritika. Pas humbjes me Sampdorian pati polemika mes tij dhe Leonardos, pasi drejtuesi brazilian i Milanit nuk ishte dakord me disa vendime të trajnerit. Klubi kuqezi u mundua t’i jepte mbështetje Gatuzos, por edhe me Udinezen Milani stonoi, duke rrezikuar seriozisht vendin e katërt, që të çon në Champions League. Në këtë situatë, puna për të gjetur pasuesin e Gatuzos është intensifikuar nga drejtuesit e Milanit.

Emri i fundit që i është shtuar listës së kandidatëve është ai i argjentinasit Mauricio Poketino, trajnerit të Totenhemit. Lajmi bëhet i ditur nga “Corriere della Sera”, që shpjegon se Poketino pëlqehet shumë nga administratori i klubit kuqezi, Ivan Gazidis. Ish-drejtuesi i Arsenalit dëshiron ta marrë trajnerin argjentinas te Milani, pasi vlerëson punën e tij gjatë viteve të fundit në Premier League, ku Totenhemi ka shfaqur gjithmonë një nivel të lartë. Kandidatë të tjerë për stolin e Milanit janë Simone Inzagi, Arsen Venger, Xhanpiero Gasperini, Lorent Blank dhe Mauricio Sarri.

Gazidis, Maldini dhe Leonardo, drejtuesit e Milanit

Gazidis ka si qëllim që të sjellë në stolin e Milanit një figurë të njohur, me përvojë edhe në arenën ndërkombëtare. Për të, Poketino është trajneri ideal për Milanin. Pengesa kryesore për klubin kuqezi është Totenhemi, që nuk dëshiron ta lëshojë trajnerin argjentinas dhe ka rezistuar më parë edhe kur për të është interesuar Real Madrid. Puna ka filluar dhe disa drejtues të klubit italian kanë shkuar në Londër për inaugurimin e stadiumit të ri të Totenhemit. Për të bindur 47-vjeçarin argjentinas, Milani duhet minimalisht të sigurojë një vend në Champions League. Një mision që duhet ta përmbushë Gatuzo, pavarësisht zërave gjithmonë në rritje për përplasjet që ai ka me Leonardon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë