Rend dhe Ligj

Gara për kreun e FBI-së shqiptare, në testin e së vërtetës policët Nushi dhe Shehaj

Është mbyllur dita e parë e testit të poligrafit. Makinës së të vërtetës i janë nënshtruar gjatë kësaj te marte dy zyrtarë të policisë. Siç tha ekskluzivisht njëri nga anëtarët e komisionit pranë SPAK, provimin e poligrafit e kanë bërë Lindita Nushi, ish-zyrtare e policisë kufitare Durrës, aktualisht specialiste pranë Policisë së Shtetit si dhe Gentjan Shehaj, ish-drejtor i policisë Vlorë, aktualisht këshilltar në Policinë e Shtetit. Te dy shefat që synojnë Byronë Kombëtare të Hetimit janë përmendur në momente të caktuara gjatë karrierës së tyre. Lindita Nushi, u hoq nga detyra si kreu i kufirit në Durrës pas një operacioni kundër policëve të korruptuar. Por pavarësisht përmasave të aksionit dhe policëve të korruptuar, i njëjti zyrtar që e largoi nga detyra e ktheu në lojë, madje kësaj radhe me ngjitje në policinë qendrore. I testuari i dytë është Gentian Shehaj, i promovuar gjatë drejtimit të policisë së Vlorës nga ish-ministri Fatmir Xhafaj. Ai spikati për mesazhin e dërguar në atë kohë vartësve ku u uronte sipas besimit të tij. Në listë gjenden gjithashtu edhe ish-zyrtarë policie të promovuar në poste drejtuese në polici nga ish-ministri Saimir Tahiri.
Burimet nuk dhane detaje mbi pyetjet e makinës së të vërtetës, ndërsa nesër siç shtoi i njëjti burim, gara do të vijojë me dy zyrtarë të tjerë policie.

Testi i poligrafit në fakt nisi herët në mëngjes që në orën 9.30. Një burim i tha Gazetës “Si” se testi i së vërtetës është zhvendosur nga Ministria e Brendshme, në ambientet pranë godinës së Policisë së Shtetit dhe konkretisht pranë zyrave të Forcës së Ligjit. Fillimisht shpjegoi një nga komisionerët e kësaj gare, është hedhur shorti i përzgjedhjes së poligrafistëve, që janë specialistë të trajnuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç thuhet tetë kandidatët e mbetur në garë, pas këtij momenti do t’i nënshtrohen më tej edhe provës së intervistimit.

Testi i poligrafit

Gjatë muajit nëntor Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhuruan Shqipërisë makinën e së vërtetës posaçërisht për procesin e përzgjedhjes së drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të ketë rol të ngjashëm me FBI gjatë hetimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, i cili ka pritshmëri të larta se do hetohet siç duhet nga SPAK. Nga 40 aplikantë mbetën në garë tetë prej tyre, pasi të tjerët u skualifikuan nga njëra pengesë te tjetra, siç edhe ishin testi fizik dhe testi me shkrim. Ndonëse përmes ambasadës u njoftua se pas intervistës me shkrim do uleshin para poligrafit vetëm gjashtë, disa orë më vonë SPAK i shtyu limitet e këtij numri, duke shtuar dhe dy të tjerë. Në total mbetën në garë tetë konkurrentë, pasi sipas Prokurorisë së Posaçme, pragu u rrit për shkak të “cilësisë” së mirë të garuesve.

Por, siç tregojnë burime të sigurta të Gazetës “Si”, nuk do jetë vetëm dita e sotme vendimtare për të zbuluar tre prej më të mirëve që do vazhdojnë më tej. Në test do të ulen nga dy kandidatë deri të enjten, ndërsa brenda javës mbyllet kapitulli i filtrimit. Burimet shtojnë se procesi monitorohet nga afër edhe nga Ambasada Amerikane. Sidoqoftë, një burim tregon për Gazetën "Si" se pyetjet do jenë të ndryshme për secilin, në varësi të karrierës që kandidatët kanë pasur në polici apo prokurori, por edhe në varësi të karakterit të tyre. Megjithatë, pika ku pyetjet pritet të jenë të ngjashme lidhen pikërisht me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Siç shprehet ligji, pasi të kenë kaluar edhe intervistimin, komisioni i SPAK i përbërë nga tre prokurorë të posaçëm, rekomandon një kandidat për drejtor të BKH, i cili do të votohet nga Këshilli  i Lartë i Prokurorisë dhe nëse lista do jetë siç parashikohet me tri emra, atëherë kandidati që merr më tepër vota merr edhe BKH. Gjatë karrierës me mandat pesëvjeçar, drejtori i BKH mbikëqyret nga një komision i përbërë nga tre prokurorë të posaçëm të SPAK.

Emrat

Ndonëse në listë ka emra oficerësh me karrierë në polici, fakti që aty gjendet edhe një prokuror, i cili mendon se mund ta bëjë mirë jo vetëm rolin e prokurorit, por edhe të “superpolicit” të BKH, emri më i përfolur për këtë post është Ylli Pjetërnikaj. Ai është nga Tropoja, ka përfunduar Magjistraturën shkëlqyeshëm dhe pas karrierës në Prokurorinë e Shkodrës, KLP e ka caktuar me detyrë në prokurorinë më të madhe në vend, në Tiranë. Pjetërnikaj e nisi karrierën si drejtues i akuzës në kohën e ish-prokurores së Përkohshme, Arta Marku dhe hetoi disa ngjarje të rëndësishme të përplasjes së bandave të Shkodrës.

Por veçohet edhe emri i Ardian Çipës, ish-drejtues i Policisë së Tiranës, ish-drejtues i Departamentit kundër Krimit të Organizuar. Çipa është nga Vlora dhe veç kostumit të policit, ai njihet si djali i poetit të këngës popullore për zonën e bregut Lefter Çipa. Aktualisht Ardian Çipa është shef i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve.

Emri i tretë dhe i katërt është ai i Ervin Hodajt, ish-drejtor i policisë së kryeqytetit dhe emri i Idajet Faskaj një emër potencial gjithashtu, pasi ka qenë ish-drejtor kundër Krimit të Organizuar. Që të dy janë nga Fieri dhe kanë të njëjtën moshë.

Artur Beu aktualisht është oficer kontakti në Bari, në vendin ku edhe u diplomua në vitin 2001, për t’u kthyer në Shqipëri ku edhe shërbeu në disa departamente, por më i rëndësishmi ai i Interpolit. Flet disa gjuhë të huaja.

Aida Hajnaj,  zv.drejtoreshë e Përgjithshme e Policisë mban postin e shefes së Kufirit. Është nga Vlora.

8 kandidatët për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit

Aida Veizaj

Ardian Çipa

Artur Beu

Ervin Hodaj

Gentjan Shehaj

Lindita Nushi

Idajet Faskaj

Ylli Pjetërnikaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë