Rend dhe Ligj

Gara për Gjykatën Kushtetuese, KED ndalon kandidimin e Zhaklina Petos

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ndalon Zhaklina Peton për të kandiduar për anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Ky ka qenë vendimi i marrë sot në mbledhjen e KED-së, e cila refuzon të fusë në garë Peton pavarësisht se Gjykata Administrative e Apelit kishtë dhënë një vendim në favor të saj për ta përfshirë në këtë garë.
Në mbledhjen e sotme, KED shqyrtoi procedurën e verifikimit të kandidates Peto për dy vende vakante të shpallura nga presidenti për në Gjykatën Kushtetuese.
Në lidhje me kërkesën paraprake të kandidates Zhaklina Peto, të paraqitur për pretendimin e saj mbi gjendjen e konfliktit të interesit dhe përjashtimit të të gjithë anëtarëve nga shqyrtimi i gjetjeve në procedurën e verifikimit të kandidaturave për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, përpara vijimit të bisedimit të Këshillit mbi gjetjet në procedurën e verifikimit të kësaj kandidateje, Kryetari dhe Zëvendëskryetari i Këshillit, në zbatim të neneve 222-225 të ligjit nr. 115/2016, pasi shqyrtuan motivet përkatëse, vendosën rrëzimin e kërkesës për përjashtimin e secilit anëtar të Këshillit nga procedurat e verifikimit të kandidatuarave të kandidates Zhaklina Peto, si të pambështetur në ligj.
"Këshilli vendosi: Ndalimin e kandidimit të kandidates Zhaklina Peto për vendin vakant të gjyqtarit në Gjykatës Kushtetuese, vakancë e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018; Ndalimin e kandidimit të kandidates Zhaklina Peto për vendin vakant të gjyqtarit në Gjykatës Kushtetuese, vakancë e parakohshme, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018", thuhet në njoftimin për shtyp të KED-së.
Më parë KED Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi ndalimin e kandidimit të Zhaklina Petos për të dyja vakancat më 2 gusht 2019. Sipas vendimit të zbardhur, ajo u ndalua të kandidonte për shkak se dështoi të kalonte me sukses procedurën e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së saj dhe të familjarëve. Lidhur me kontrollin e pasurisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi administroi raportin e ILDKPKI-së, i cili vlerësonte se Peto “nuk kishte kryer deklarim të saktë, ka mungesë dokumentacioni ligjor për burimin e pasurisë si dhe ka mosdeklarim të tyre”.
Po Peto ankimoi vendimin e KED, ku Gjykata Administrative e Apelit ia pranoi kërkesën.
Refuzimi për kandidimin e Petros e bën të pamundur plotësimin me vende vakante të Gjykatës Kushtetuese, pasi minimumi duhet të jenë tre kandidatë për një vend vakant si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Pritet që të hapet sërish gara për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.
KED gjithastu bën të ditur se ka hapur garën për Inspektor të Lartë Drejtësisë, pas konstatimit se janë 4 kandidatë të lejuar për kandidim, në zbatim të nenit 147/d të Kushtetutës dhe nenit 201 të ligjit nr. 115/2016.
KED vendosi, sipas njoftimit, "pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave për plotësimin e vendit vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Shpalljen e procedurës së thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Paraqitja e interesit për kandidim, së bashku me dokumentacionin shoqërues, depozitohet në zyrën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pranë Gjykatës së Lartë, deri në datën 20 Shtator 2019".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë