Futboll

Gallo analizon garën e titullit: Teuta, rivale e denjë e Partizanit

Fatjon Rupi - Gjysmës së parë të kampionatit i kanë mbetur edhe 90 minutat e fundit dhe klasifikimi aktual tregon se cilat skuadra janë për titull, cilat për Kupat e Europës dhe cilat për mbijetesë. Ka një ndarje të 10 skuadrave në 3 grupe, sipas asaj që kanë dhënë në këto 17 javë dhe pozitiv është fakti që ka rivalitet në secilin grup.    

Ish-futbollisti i njohur, Alpin Gallo, aktualisht trajner moshash dhe opinionist, për Gazeta Si bën një analizë të kampionatit dhe gjykon se Partizani është ekipi me solid dhe favorit kryesor për titullin, pavarësisht se nuk jep spektakël në fushë: “Deri tani, Partizani ka treguar se ka ekipin më të konsoliduar në kampionat. Grupit të futbollistëve që ka, po i merret maksimumi. Çdo lojtar, aq sa ka, 70%, 80% apo më shumë, e jep në fushë. Pavarësisht se nuk dhuron spektakël, Partizani ka qëndrueshmëri në lojë dhe në rezultate. Është pretendenti kryesor për titullin kampion, jo vetëm se mban vendin e parë në këtë moment. Ajo që ka dhënë në fushë, e veçon nga të tjerët.

Partizani dhe Teuta para ndeshjes së fundit në Durrës

Kukësi është ai i zakonshmi, një ekip që luan fort, por mendoj se rivale e Partizanit në luftën për titull është Teuta. Për mua, është skuadra që po vjen. Më pëlqen si luan dhe jam i bindur se me ndonjë blerje të mirë në janar, do të jetë pretendente e denjë për titullin kampion në gjysmën e dytë të kampionatit”, - shprehet ish-mbrojtësi i Dinamos dhe Partizanit.

Në garë për një vend në Kupat e Europës, Gallo sheh disa skuadra: “Skënderbeu sigurisht që është pretendent, por dihet që ka atë problematikën e vet me dënimin. Ka të njëjtën fizionomi loje si vitet e fundit, të bukur për ta parë, por nuk ka ata lojtarët me kualitet që bënin diferencën. Mendoj se edhe Laçi është një ekip i denjë për Kupat e Europës. Është pak a shumë një ekip si Partizani në stilin e lojës, solid dhe me djem të rinj që vrapojnë, por kuptohet që ka më pak kualitet. Do të jetë një garë e fortë, sepse aty është edhe Flamurtari.

Në fund edhe lufta për mbijetesë, ku ndodhet edhe Tirana, për të cilën Gallo nuk dëshiron të flasë, duke qenë se është pjesë e strukturave të klubit kryeqytetas: “Ka garë të fortë edhe në fundin e kampionatit, ku janë disa skuadra që luajnë për të mos rënë nga kategoria. Luftëtari është një ekip më i fortë, e ka treguar në fushë dhe nëse nuk do të ketë problemet financiare që fliten, me siguri do të mbijetojë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë