Futboll

Gallatasarai kampion, 16 minuta shtesë e 10 sherre në finalen e titullit

Pas një ndeshjeje ku ndodhi gjithçka dhe që nuk mbaronte kurrë ndaj Instambul Bashakshehir, ekipi i drejtuar nga trajneri i famshëm Fatih Terim, ka fituar titullin e 23-të në historinë e tij. Festë për Gallatasarain, që triumfon ndaj ekipit të mbështetur nga presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

“Perandori”, siç e njohin të gjithë trajnerin turk Fatih Terim, bën xhiron rreth fushës me shallin verdhekuq në qafë. Gallatasarai i tij sapo ka fituar titullin e 23-të në histori. Ky është titulli i 8-të në Turqi për ish-trajnerin e Milanit dhe Fiorentinës, të gjithë në krye të Gallatasarait. Titulli ka ardhur në fundin e ndeshjes me rivalin direkt, Bashakshehirin, një javë para mbylljes së kampionatit. Dy pretendentët vinin në këtë ndeshje me pikë të barabarta, ndërkohë që ndeshja e parë ishte mbyllur 1-1.

Fatih Terim, trajneri i Gallatasarait

Ekipi i mbështetur nga presidenti Erdogan kaloi i pari në avantazh me boshnjakun Bajiç, pas një asisti të holandezit Elia. Nga Gallatasarai u kërkua që momenti i golit të shihej me VAR, por në fund ndërkombëtari Çakir vendosi për vlefshmërinë e golit. Ky ishte vetëm episodi i parë i një ndeshjeje që u mbyll me 16 minuta shtesë, përveç ndërprerjeve për VAR-in dhe 10 ose më shumë sherresh në fushë dhe në stolat përkatës të dy skuadrave. Sigurisht, edhe 50 minuta futboll, luftë nga të gjithë futbollistët, djersë dhe gjak, por edhe momente të bukura, siç ishte roveshiata e algjerianit Feghouli në rastin e golit të barazimit të Gallatasarait sapo nisi pjesa e dytë.

Moment tensioni mes lojtarëve Gallatasarait dhe Bashakshehirit

Pastaj të tjera raste të diskutueshme. Dy gola të anuluar për Gallatasarain me VAR, i pari i shënuar nga Belhanda dhe i anuluar për një faull ndaj Inler, ndërsa i dyti i shënuar nga nigeriani Oniekuru dhe i anuluar për pozicion jashtë loje. Megjithatë, Gallatasarai këmbënguli dhe shënoi golin e dytë me Oniekuru. Bashakshehiri duhej të barazonte që të ishte i favorizuar në takimet direkte, ndaj dhe në fushë u hodhën edhe 35-vjeçari Adebajor dhe braziliani Robinjo. Inan i Gallatasarait goditi shtyllën nga një goditje dënimi, kurse Elia ishte shumë afër barazimit në minutën e 5-të shtesë. Fati e deshi të triumfonte “Perandori” Terim, duke lënë të zhgënjyer Bashakshehirin dhe presidentin Erdogan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë