Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi thotë se është ende shpejt për të folur me bindje nëse ka elementë diskriminues në deklaratën e drejtores së Zyrës Arsimore të Fierit, Yllka Beci, që foli për “një vajzë shtatzënë” pas shfaqjes së ambulancave në gjimnazin “Janak Kilica”, ku një ditë më parë u helmuan rreth 60 nxënës.
Në një prononcim për Gazetën “Si”, Komisioneri Robert Gajda thotë se deklarata është marrë në shqyrtim dhe paraprakisht e vlerëson atë si jonormale.
“Nuk është normale. Nuk u takon të tjerëve të bëjnë publike, as institucioneve, madje as mjekëve, që të bëjnë publike një fakt të tillë pa pëlqimin e prindërve kur bëhet fjalë për minorenë”, deklaron Gajda.
Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi thotë se nëse do të gjejë elementë diskriminues në këtë deklaratë do ta adresojë atë sipas ligjit përmes të cilit funksionon ky institucion.
Ndërkohë, Qendra e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) është më e drejtpërdrejtë. Reagimin e drejtores së Zyrës Arsimore të Fierit e quan papërgjegjshmëri, por rastin nuk e sheh si të izoluar.
“Është një reagim i papërgjegjshëm dhe tregues sesa e rëndë është situata në arsimin publik parauniversitar në Shqipëri. Do të kishte qenë më profesionale heshtja, sesa justifikimet absurde që po dëgjojmë, duke filluar nga Ministrja më e paaftë e arsimit, që ka patur Shqipëria në historinë e saj e deri tek i gjithë stafi në varësi të saj”, deklaron për gazetën “Si”, drejtuesi i kësaj qendre, Altin Harizaj.
Akoma më i ashpër ishte reagimi i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, që kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të drejtores së Zyrës Arsimore të Fierit.
“Për një nxënëse 16-vjeçare të shkollës së mesme “Janaq Kilica”, që është dërguar me shenja helmimi në spital, drejtoresha e ZA Fier, Yllka Beci është shprehur se ajo ishte shtatzënë. Kjo deklaratë shokuese përbën një skandal të paprecedentë në arsimin shqiptar. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i kërkon qeverisë shkarkimin e menjëhershëm të drejtoreshës së ZA Fier, Yllka Beci”, thuhet në reagim.
Konfederata kërkon që vajza që është përmendur nga drejtorja të merret nën kujdesin e punonjësve socialë dhe media të shmangë publikimin e identitetit, ndërsa për drejtoren e ZA Fier deklaron se vetëm shkarkimi nuk mjafton.
“Ky është një rast i rëndë bullizmi dhe ndëshkimi duhet të jetë edhe ligjor për drejtoreshën e Zyrës Arsimore. Një nxënëse 16-vjeçare ka rënë viktimë e injorancës së një drejtueseje të arsimit në një prej qarqeve më të rëndësishëm në vend”, vijon deklarata e Konfederatës.
Në të njëjtin reagim, KSSH thotë se ky është një rast i përsëritur i skandaleve të njëpasnjëshme në shkollat e Fierit dhe kërkon mbajtjen e përgjegjësisë deri tek drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Arsimit.
Çfarë ndodhi?
Ende pa filluarë mirë mësimin e kësaj të enjteje, para derës së oborrit të gjimnazit “Jana Kilica” u shfaqën dy autoambulanca. Prania dhe sirenat e tyre në shkollën ku një ditë më parë u helmuan rreth 60 nxënës alarmoi një pjesë të prindërve, që kanë hyrë me forcë në ambientet e shkollës duke kërkuar nxjerrjen jashtë të fëmijëve.
Prindërit kërkuan garanci për jetën dhe shëndetin e fëmijëve të tyre, pas informacioneve se dy gjimnazistë shfaqen probleme me frymëmarrjen madje njëra prej nxënëseve u dërgua në urgjencë në gjendje të fikti.
Mbetet e paqartë nëse problemet e dy të rinjve u shkaktuan nga helmimi i ditës së mërkurë, ngjarje për të cilën policia nisi procedimin penal për dy adoleshentë me inicialet A.M. dhe A.H., që të dy 15-vjeç.
Amullia u shtua më shumë kur drejtorja e Zyrës Arsimore të Fierit, Yllka Beci në debat e sipër me prindërit thotë se nuk bëhet fjalë për asnjë helmim, se fëmijët e tyre ishin të sigurt dhe se bëhej fjalë për “një vajzë që ishte shtatzënë”. Videoja amatore e kësaj deklarate të drejtores së Zyrës Arsimore të Fierit u shpërnda me shpejtësi në rrjet, e po ashtu edhe lajmi se Yllka Beci deklaronte “një nxënëse shtatzënë”.
Vetë drejtorja mohoi se kishte deklaruar se “një nxënëse” ishte shtatzënë. Yllka Beci pretendon se fjalët e saj për një “vajzë që është shtatzënë” janë keqinterpretuar nga media, duke shtuar se me “vajzë” i është referuar një mësueseje të shkollës “Janaq Kilica” që është shtatzënë.
“Deklarata ime është keqpërdorur nga mediat dhe gazetarët. Kam thënë që nxënësit janë shumë mirë, por është një mësuese shtatzënë. Unë kam përdorur fjalën “vajzë” dhe vajzë nënkuptohet edhe mësuesja, jo vetëm nxënësja”, deklaroi Beci për Top Channel.
Beci tha se deklarata kur flet për mësuesen shtatzënë është bërë nën një presion të madh nga prindërit dhe gazetarët dhe arsyeja që ajo ka mbërritur në gjimnazin në fjalë ka qenë për të përcjellë normalitet. Drejtorja thotë se në momentin që bëri atë deklaratë nuk kishte asnjë informacion, se çfarë kishte ndodhur dhe kujtoi se ambulancat ishin shfaqur para shkollës për mësuesen shtatzënë.
Drejtorja e Zyrës Arsimore pretendon se i është cenuar liria si individ dhe si grua, ndërsa konfirmon faktin se një nxënëse është shoqëruar në gjendje të fikëti me ambulancë në urgjencën e spitalit të Fierit, por mohon mundësinë që gjendja e saj ka lidhje me helmimin e një dite më parë në këtë shkollë.
“Një nxënëse nuk është ndjerë mirë dhe unë nuk e di, po ndoshta nuk ka ngrënë mëngjes”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



