Futboll

Fytyrat e reja të Superiores, kush luan për herë të parë në Shqipëri

Ngre siparin sot në mbrëmje kampionati i 81-të të Superiores. Një kampionat që ka të panjohurat e veta, duke qenë se ndryshimet kanë qenë të mëdha në krahasim me sezonin e fundit dhe duhen parë skuadrat në fushë për të kuptuar realisht se çfarë niveli kanë. Shumë futbollistë janë larguar nga Superiorja, kryesisht drejt Kosovës, por edhe shumë të tjera kanë ardhur. Një numër i madh lojtarësh luajnë për herë të parë në Shqipëri dhe për publikun janë të panjohur. Po ju njohim me fytyrat e reja të Superiores, sipas skuadrave.

Solomon, një nga lojtarët e rinj të Partizanit, gjatë ndeshjes me Kukësin. Gazeta Si, 23 gusht 2019

Partizani – Ekipi fitues nuk ndryshohet, ose ndryshohet pak, por te kampionët e Shqipërisë nuk e kanë respektuar këtë parim. Partizani ka sjellë në Shqipëri shumë lojtarë të rinj, si Brajan Braun, Deian Boldor, Theofilus Solomon, Ron Broja dhe Josef Ekuban. I pari në fakt u bë i njohur menjëherë me tre golat që shënoi në Superkupën e Shqipërisë ndaj Kukësit, duke i dhënë trofeun e parë sezonal ekipit të tij. Ai tregolësh sigurisht që ia ka rritur kreditet për të qenë titullar në formacionin e trajnerit Lerda, ku nga të ardhurit luajnë nga minuta e parë mbrojtësi i qendrës Boldor dhe mesfushori Brroja. Solomon rrezikon të ulet në stol nga Braun.


Kukësi – Edhe Kukësi ka bërë shumë ndryshime në organikë. Lojtarë titullarë dhe mjaft të rëndësishëm për ekipin, nuk janë më. Ata janë zëvendësuar me lojtarë me përvojë dhe që e njohin mirë kampionatin shqiptar, por edhe të tjerë që vijnë në vendin tonë për herë të parë. Të tillë janë mbrojtësi maqedonas Tome Kitanovski, kosovari Mirlind Daku dhe mbrojtësi i qendrës, nigeriani Erhun Obanor. Deri në momentet e fundit të merkatos mund të ketë edhe ndonjë lojtar të ri, që mund të vijë nga jashtë vendit. Për momentin, trajneri Shpëtim Duro llogarit titullar vetëm nigerianin Obanor.

Nigeriani Obanor, një nga afrimet e Kukësit. Gazeta Si, 23 gusht 2019

Tirana – Drejtuesit e Tiranës nuk kanë dashur të eksperimentojnë në merkaton e kësaj vere. Ata kanë bërë shumë lëvizje, por të gjithë futbollistët e afruar gjatë verës kanë përvojë të gjatë në kampionatin shqiptar, madje kanë fituar shumë trofe. Janë emra si Tefik Osmani, Kristi Vangjeli, Elton Kale, Agustin Torasa, Idriz Batha etj. Këtë herë bardheblutë hoqën dorë nga dashuria afrikane dhe mbetet për t’u parë se efikas do të rezultojë ky ndryshim strategjie.

Laçi – Trajneri Sulejman Starova ka një ekip simpatik, që ka frikë ta vlerësojë si kandidat për titullin kampion. Në Kupat e Europës laçianët u paraitën mirë, pavarësisht se nuk e kaluan turin. Grupit të sezonit të kaluar i janë bashkuar disa fytyra të reja, duke filluar me sulmuesin Kirian Nuabueze. Të tjerë lojtarë që provojnë këtë sezon Superioren me fanellën e Laçit janë Aleksandër Ignjatov, braziliani Teko, por edhe shqiptarët e ardhur nga Greqia Flosard Malçi dhe Damian Gjini.

Administratori i Vlalznis, Suad Lici, prezanton brazilianët Gonçalves dhe Soares. Gazeta Si, 23 gusht 2019

Vllaznia – Manisë për t’u mbushur me të huaj nuk i ka shpëtuar as Vlalznia, e rikthyer në Superiore. Shkodra është qytetit që mban shumë ekipe me lojtarë, por ketë herë Vllaznia do të ketë një përbërje, ku dominojnë futbollistët e ardhur në merkato. Dhe shumë prej tyre vijnë për herë të parë në vendin tonë. Tre afrimet e fundit të shkodranëve vijnë nga Brazili, Emerson, Gonçalves dhe Soares, por më parë me këtë skuadër janë bashkuar edhe dy maqedonasit Filip Gligorov dhe Aleksandër Ristevski

Skënderbeu - Në kushte aspak normale, trajneri Ilir Daja ka filluar punën te Skënderbeu me një ekip që nuk ishte mësuar ta kishte në vitet e fundit. Korçarët, me shumë halle, e nisin kampionatin me disa fytyra të reja. Duke nisur me Aflder Mensah, Emauel Kofi Esien, Muhamed Adams dhe Leonat Vitija, që janë gurët e provës për Skënderbeun nëse do të mundet t’ia dalë në këtë sezon aspak të zakontë. Këto afrime gjithsesi nuk pritet të jenë të gjithë titullarë në ekipin e Dajës, që ka filluar ta ketë të qartë idenë.

Darko Nikaç prezantohet te Teuta. Gazeta Si, 23 gusht 2019

Teuta - Edhe Teuta e Bledi Shkëmbit ka pësuar shumë ndryshime këtë verë. Duke larguar disa veteranë, te durrsakët janë 4 lojtarë që luajnë për herë të parë në Superligë. Darko Nikaç, Basit Khalid, Bllagoje Todorovski, Aleksandwr Kuro. Nga këta të katër, Khalid, Nikaç dhe Todorovski janë të projektuar si titullarë.

Luftëtari - Ekipi gjirokastrit është bërë thuajse i gjithi nga e para këtë sezon. Më shumë se 80% e titullarëve të sezonit të shkuar janë larguar dhe ekipi është formuar nga fillimi, si rrjedhojë edhe fytyrat e reja që do të shikojmë me fanellën bluzi janë të shumta. Gjirokastritët, si zakonisht kanë preferuar të bëjnë pazar në Greqi, një treg që e njohin mirë. Duke filluar me portierin Panajotis Paiteris, për të vazhduar me Xhonatan De Soza, Mavrudis Bugiadis, Zhoao Mendez dhe Apostol Furrxhiu. Luftëtari i këtij sezoni është një enigmë e vërtetë për mënyrën se si do të paraqitet në fushë, pasi shumë pak lojtarë të formacionit bazë njihen.

Bationo, një nga afrimet e fundit të Flamurtarit. Gazeta Si, 23 gusht 2019

Flamurtari - Vlonjatët edhe këtë verë kanë vijuar avazin e tyre të përvitshëm, që çdo gusht e bëjnë ekipin nga e para. Te Flamurtari janë disa lojtarë që luajnë për të parë në Superligë, Semir Bajraktareviç, Sebastian Ibras, Bajram Nebihi, Lirim Mema dhe Yves Benoit. Vlonjatët janë ende në merkato dhe duke parë tregun e futbollistëve shqiptarë, nuk do të ishte çudi nëse në ditët e ardhshme do të shikojmë të tjera fytyra të reja me fanellën kuqezi. Te Flamurtari ka shumë dilema për formacionin titullar dhe trajnerit Sadedini do t’i duhet shumë punë për të formuar bazën e ekipit.

Bylis - Të ngjiturit në Superligë janë treguar të kujdesshëm në këtë merkato, duke bërë afrime që do mund të rrisnin cilësinë e ekipit. Vetëm 2 janë fytyrat e reja të Bylisit në këtë sezon, Eltun Turabov, Mishel Vailant. Trajneri Dovedan që e ngjiti Bylisin në Superligë nuk pritet të bazohet shumë të këta dy emra të rinj, por më tepër pritet të besojë te lojtarët me eksperiencë në kampionat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë