Nuk është as PD dhe as PS që kërkon mbledhjen e Këshillit Politik ku palët mbajnë qëndrime krejtësisht të kundërta (veçanërisht për koalicionet parazgjedhore), por deputetja e opozitës në Kuvend Rudina Hajdari. Përmes një letre publike (bashkëngjitur edhe një projektligj se si duhet të reflektohen ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor), Hajdari fokusohet tek domosdoshmëria e listave të hapura 100%, duke sjellë një tjetër propozim nga ai i PS. Ajo kërkon mbledhjen e Këshillit Politik ditën e martë për të punuar non stop deri në realizimin e një dokumenti të dakordësuar për këtë çështje.
“Unë besoj se ka ardhur koha që të gjithë ne të lëmë mënjanë interesat e ngushta personale dhe partiake dhe të shohim interesat madhore të vendit duke punuar natë e ditë për ti dhënë Shqipërisë një Kod Zgjedhor dhe një palë zgjedhje model…
Unë dhe grupimi që përfaqësoj kemi përgatitur amendamentet përkatëse të Kodit Zgjedhor të cilat garantojnë hapjen 100% të listave, jo vetëm si mekanizëm I shprehjes së opinionit popullor mbi cilësinë e kandidatëve por mbi të gjitha si një mekanizëm përzgjedhës i deputetëve të ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë”, shkruan ajo. Sipas propozimit të paraqitur, emrat e kandidatëve në listën e partisë paraqiten të renditura sipas rendit alfabetik. Më pas vijohet me proçedurat që duhet të ndjekin grupet e numërimit, për të shkuar tek një tjetër nen se çfarë quhet vote e vlefshme e deri tek mënyra e shpërndarjes së mandateve për kandidatët fitues të listës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.