Futboll

Futbolli i madh, Gjermania mund të lërë Holandën jashtë Euro 2020

Skena sot në mbrëmje (ora 20:45) është për futbollin e madh, për dy nga skuadrat më të njohura europiane, Gjermaninë dhe Holandën. Për holandezët është një ndeshje shumë e rëndësishme kjo e mbrëmjes së sotme në Gjermani, një ndeshje që vendos shumë për kualifikimin, pasi në dy ndeshje kanë marrë vetëm 3 pikë. Në krahun tjetër, Gjermania ka një mundësi të mirë për të marrë kreun e Grupit C, që mbahet nga Irlanda e Veriut.

Gjermani-Holandë, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2020, do të zhvillohet në Hamburg. Është si një akt i tretë mes këtyre skuadrave, pas asaj fitoreje të bujshme të vitit të kaluar, 3-0, në Ligën e Kombeve, me të cilën Holanda hoqi qafe Gjermaninë dhe më pas hakmarrja e marsit, 2-3, e gjermanëve në këto kualifikuese. Holanda vjen me 3 pikë në 2 ndeshje dhe një tjetër humbje do ta mbante 9 pikë pas Irlandës së Veriut, që kryeson grupin me 12 pikë të plota, por të hënën ndeshet me Gjermaninë dhe gjasat janë që të ndalet. Për Van Dijk, De Ligt dhe shokët e tyre, është një ndeshje me rrezik të lartë kjo e sotmja.

Nga ndeshja e marsit mes Holandës dhe Gjermanisë, Gnabri në aksion. Gazeta Si, 6 shtator 2019

Gjermania do të zbresë në fushë me një skuadër të rinovuar nga Botërori i fundit, por nuk ka gatshëm sulmuesin Sane, i dëmtuar pak kohë më parë. Sot është rasti për të barazuar Irlandën e Veriut para ndeshjes direkte me të. Skema e trajnerit Joakim Lëv për këtë ndeshje do të jetë 3-4-1-2.

Formacionet e mundshme
Gjermania (3-4-1-2): Nojer; Ginter, Zyle, Tah; Klosterman, Kimish, Kros, Shulc; Rojs; Verner, Gnabri.
Holanda (4-3-3): Silisen; Dumfries, De Ligt, Van Dijk, Blind; De Run, F.de Jong, Uijnaldum; Berguijn, Depai, Babel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë