Futboll

Futbolli gjerman në dorë të një prodhuesi vere, “nipit” të Fritz Valter

Presidenti i ardhshëm i Federatës Gjermane të Futbollit, Fritz Keler, prodhon verë, është pronar restorantesh me shumë yje dhe ka pasur kumbar liderin e madh të "Mrekullisë së Bernës", në Botërorin e 1954-ës.

Fritz Keler është presidenti i Frajburgut, një klub i vogël që qëndron në Bundesligë me parimin e thjeshtë: zemër dhe pasion. Me këtë ekip luan edhe futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Amir Abrashi, ndërsa ish-sulmuesi kuqezi, Altin Rraklli, ka lënë gjurmë të thella vite më parë. Deri pak ditë më parë, Keler ishte më i njohur për aktivitetin e tij të parë, atë jashtë futbollit. Ai është biznesmen restorantesh dhe hotelesh të klasit të lartë, prodhues dhe shitës vere. Më 27 shtator Keler, 62 vjeç, do të prezantohet si kandidati i vetëm për presidencën e Federatës Gjermane të Futbollit. Kështu, Gjermania do të jetë në duart e “nipit" të Fritz Valter, kapitenit legjendar të skuadërs kampione të botës në vitin 1954. Futbolli gjerman e ka zemrën pikërisht në Frajburg, në Pyllin e Zi, një vend pranë Zvicrës dhe Francës. Edhe trajneri Hoakim Lëv banon në të njëjtin qytet.

Fritz Keler, presidenti i Frajburgut të Amir Abrashit. Gazeta Si, 19 gusht 2019

Në hotelin e familjes, që ndodhet në kodrat e Kaiserstuhl, është varur një fanellë autentike e Helmut Rahn, autorit të golit të tretë në fitoren 3-2 ndaj Hungarisë, në atë që njihet si “Mrekullia e Bernës”, pasi Kupa e Botës ringriti një komb pas shkatërrimit nga lufta. Kombëtarja gjermane e festoi titullin botëror për dy ditë në hotelin e familjes Keler, krejtësisht i panjohur para se të vinte aty ndonjë gazetar dhe të shkruante për të. Fritz Valter ishte një mik i pronarit, i cili i vuri atë emër edhe djalit të tij. Në ditën e pagëzimit, kumbari i vogëlushit Frederik “Fritz” Valter Keler ishte pikërisht futbollisti që u bë legjendë.

Dy presidentët e fundit të Federatës Gjermane të Futbollit janë detyruar të japin dorëheqjen për shkak të skandaleve të ndryshme. I pari ishte një ish-gazetar, Volfgang Niersbah, kurse tjetri një anëtar i partisë së Angela Merkel, Reinhard Grindel. Me zgjedhjen e Keler, në krye të Federatës Gjermane do të jetë një njeri i futbollit, shumë i zjarrtë kur sheh ndeshjet në tribunë, i famshëm për gjestin e gishtit të mesit për një gol të anuluar kundër Hertës. Keler, që do të thotë kantinë, e ka pasur punën të shkruar në mbiemrin e tij, përveçse do të ishte edhe një trashëgimi familjare. Ai duhet t’i sjellë besueshmëri një Federate të trazuar nga lufta për pushtet dhe prapaskenat. Kandidati i vetëm për Federatën Gjermane është konservator sa i takon çështjes së trajnerëve. Frajburgu ka të njëjtin trajner, Kristian Streish, prej 8 vitesh. Jogi Lëv është me fat, sepse edhe nëse një ditë do të shkarkohet nga miku i tij Fritz, të dy mund të flasin rehat duke pirë ndonjë gotë në qendër të qytetit të tyre. Edhe Jogi, para se të shtrihet të flejë, relaksohet me një gotë verë të kuqe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë