Futboll

Futboll dhe not në Vlorë, kapiteni Bushiç shpëton Flamurtarin

Fatjon Rupi - Stadiumi “Flamurtari” i ngjante më shumë një pishine në ndeshjen me Kamzën. Terreni ishte rënduar së tepërmi nga reshjet e shumta të shiut, megjithatë u vendos që ndeshja të luhej dhe futbollisëve në fushë u është shtuar ndonjë kilogram nga uniformat e bëra qull.

Një ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat, që është zgjidhur nga një gol me kokë i kapitenit të vlonjatëve, Tomisllav Bushiç. Kroati shënoi në zhvillimet e një goditjeje këndi dhe i dha tri pikët skuadrës kuqezi. Festa e lojtarëve të Flamurtarit ishte e stilit Kilian Mbape, sulmuesit të njohur francez të PSG-së. Nuk mund të flitej për futboll cilësor në këtë 90-minutësh, i ndikuar së tepërmi nga terreni i rënduar i lojës. Për vlonjatët ka rëndësi fitorja, e dyta radhazi në shtëpi, që i mban ata pranë kreut të renditjes.

Tomosllav Bushiç, kapiteni i Flamurtarit

Trajneri Ilir Daja e pranoi pas ndeshjes se ishte një ftore e vuajtur, por shumë e rëndësishme për Flamurtarin. Ai kishte hedhur në fushë nga minuta e parë katër lojtarë sulmues, ku përveç kapitenit Bushiç dhe brazilianit Danilo Alvesh, ishin edhe Kale e Torasa. Ky i fundit këtë herë luajti pak më i tërhequr në mesfushë, duke bërë organizimin e sulmeve të Flamurtarit.

Edhe Kamza krijoi disa raste në këtë ndeshje, por nuk ia doli të shënonte dhe të merrte pikë. Ishte ndeshja e tretë për Kamzën nën drejtimin e trajnerit Ernest Gjoka dhe kjo skuadër ka marrë vetëm një pikë, duke mos shënuar asnjë gol. Ka pasur edhe momente tensioni në këtë sfidë, çka e tregon edhe numri i lartë i kartonëve të verdhë, 6 të tillë, nga 3 për secilën skuadër. Mund të veçohet përplasja me Useinit të Flamurtarit dhe Mehmetit të Kazmës, por arbitri e kaloi me kartonë të verdhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë