Futboll

Fusha kthehet në pishinë, ndërpritet ndeshja Tirana-Flamurtari

Kushtet atmosferike kanë bërë që ndeshja Tirana-Flamurtari, e vlefshme për raundin e 1/8 në Kupën e Shqipërisë të ndërpritet në mes. Të dyja ekipet e kishin vlerësuar maksimalisht këtë përballje, pasi Kupa është një kompeticion i rëndësishëm, duke parë gjendjen dhe pikët që kanë grumbulluar në kampionat.

Përballja filloi me ritëm edhe pse shiu sa vinte dhe bëhej më i dendur dhe terreni rëndohej. Do të ishte Flamurtari i pari që guxoi të sulmonte dhe pse fusha nuk jepte mundësi për pasa të saktë dhe shpejtësi në lojë. Por rastin më të mirë do e kishte Tirana, e cila në minutën e 10’ humbi penalltinë. Pas kësaj penalltie vështirë se mund të flitet më për futboll, pasi terreni i stadiumit “Selman Stërmasi” u bën si një pishinë e vërtetë.
Në fillim ishte arbitri i ndeshjes, Bajramaj që ndërpreu ndeshjen në minutën e 20’, por pas konsultimit me kapitenët e të dyja ekipeve, loja rifilloi. Por jo për shumë gjatë, pasi në minutën 25’ arbitri dhe të dy kapitenët morën vendimin final të ndërprerjes së ndeshjes dhe shtyrjes së saj për ditën e enjte.

Pas konsultimit dhe me shefin e sektorit të garave në FSHF, Lysien Nurishmi u vendos që ndeshja të luhet nesër në ora 13:00, duke filluar nga minuta 25’. Ky i fundit, duke folur për “Supersport”, u shpreh se kushtet atmosferike e bën të pamundur vazhdimin e kësaj ndeshje dhe më e mira për të dyja ekipet ishte shtyrja. “Shiu i dendur nisi që kur skuadrat dolën për nxemjen në fushë. Arbitri dhe ne morëm një vendim për të pritur disa minuta, por është e pamundur. Bashkë me drejtuesit e dy ekipeve, morëm vendimin që ndeshja të vazhdojë nesër, në orën 13:00, në minutën që është ndërprerë. Dy ekipet donin të luhej ndeshja, por vijëzimi u zhduk dhe ishte e pamundur të luhej, sepse situata u përkeqësua.” tha Nyrishmi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë