Futboll

Fundjavë pozitive për kuqezinjtë, me përjashtim të portierëve

Gazeta Si – Fundjava që shkoi ishte përgjithësisht pozitive për lojtarët e Kombëtares. Me përjashtim të dy portierëve Tomas Strakosha dhe Etrit Berisha, që të dy në stol edhe këtë herë. Ky mund të jetë shqetësimi i vetëm për trajnerin Reja.

Mbrojtësit kuqezi kanë bërë një paraqitje mjaft të mirë. Adrian Ismajli ishte më i miri për Empolin në barazimin 0-0 me Fiorentinën. Ai mbajti mbrojtjen, kur një nga shokët e repartit u ndëshkua me karton të kuq. Edhe Bajrami ishte titullar në këtë ndeshje.

Adrian Ismajli. Gazeta Si, 22 gusht 2022

Ismajli u vlerësua me notën 6.5 nga shtypi sportiv italian, ashtu si dhe Berat Gjimshiti për paraqitjen e bërë ndaj Milanit, ku Atalanta barazoi 1-1. Edhe Gjimshiti ishte ndër më të mirët në fushë për skuadrën e tij.

Ivan Balliu shkëlqeu sërish me Rajo Valekanon. Skuadra e mbrojtësit të djathtë fitoi 0-2 në fushën e Espanjolit të Keidi Bares, i aktivizuar në fundin e ndeshjes. Balliu është në formë shumë të mirë, ndërsa mbrojtësi tjetër i krahut të djathtë, Elseid Hysaj, nuk luajti asnjë minutë ndaj Torinos.

Kristjan Asllani pati fatin të debutonte në një ndeshje zyrtare të Interit. Ai luajti pak minuta në fund të ndeshjes me Specian, ku Interi fitoi 3-0.

Uzuni feston golin ndaj Santander. Gazeta Si, 22 gusht 2022

Rrugën e golit e ka gjetur në fundjavë Myrto Uzuni. Beratasi shënoi golin e dytë në fitoren 2-0 të Granadës ndaj Rasing Santander. Armando Broja mungoi te Çelsi për shkak dëmtimi. Skuadra e tij u mund 3-0 nga Lidsi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë