Kombetarja

Fundjavë portierësh, Berisha e Strakosha në top formë

Fatjon Rupi - Zakonisht janë sulmuesit ata që bëjnë jehonë me golat e tyre, por nga lojtarët e Kombëtares sonë këtë fundjavë kanë lënë shenjë portierët Tomas Strakosha dhe Etrit Berisha. Të dy kanë shkëlqyer në fitoret e Lacios dhe Atalantës në Serinë A, duke marrë vlerësime për lojën e tyre nga shtypi dhe specialistët. Aktivizim i pakët dhe qëndrim në stol për kuqezinjtë e tjerë. Rrugën e rrjetës e kanë gjetur sulmuesit e ekipit Shpresa, Fiorin Durmishaj dhe Taulant Seferi.

Tre nga titullarët e Kombëtares, Elseid Hysaj, Tomas Strakosha dhe Etrit Berisha, jo vetëm kanë luajtur nga 90 minuta në javën e 11-të të Serisë A, por kanë treguar një nivel të lartë, veçanërisht dy portierët. Hysaj luajti nga minuta e parë ndaj Empolit, ku Napoli fitoi 5-1. Mbrojtësi shkodran nuk luajti në krahun e tij, por në të majtë dhe me paraqitjen e tij bëri të harrohej zhgënjimi i ndeshjeve të fundit, ku kishte pasur oshilacione. Tomas Strakosha është ngjitur në zonën Champions me Lacion, pas fitores 4-1 me Spalin, ku “gardiani” kuqezi nuk ka pasur shumë punë, por ka bërë një pritje spektakolare në fillimin e ndeshjes. Paraqitja e tij është vlerësuar me notën 6.5.

Thomas Strakosha

Paraqitjen më të mirë e ka bërë Etrit Berisha, i rikthyer titullar në portën e Atalantës. Një vendim që i ka dhënë të drejtë trajnerit Gasperini, pasi Berisha ishte vendimtar në fitoren 1-2 në fushën e Bolonjës. Vlen të veçohet një pritje fantastike e tij ndaj Palasios dhe jo më kot Berisha dhe mbrojtësi Polomino ishin më të mirët e ndeshjes, të dy të vlerësuar me notën 7. Në Serinë B, Emanuele Ndoj luajti 90 minuta dhe dha një asist në barazimin 2-2 të Breshias në fushën e Foxhias. Xhakomo Vrioni luajti disa minuta si zëvendësues në fitoren 1-0 të Venecias ndaj Salernitanës, ndërsa Memushaj luan të hënën ndeshjen e radhës me Peskarën e tij, që ka shansin të marrë kryesimin, nëse fiton.

Në Zvicër, Taulant Xhaka, si gjithmonë, ka luajtur 90 minuta. Ai e nisi me karton të verdhë ndeshjen me Luganon, ku Bazeli fitoi 3-2. Trajneri po e aktivizon Xhakën në qendër të mbrojtjes, për nevoja të suadrës. Lenjani ishte titullar në humbjen 0-1 të Sionit ndaj St Galenit. Ka shënuar në Zvicër edhe sulmuesi i Kombëtares U-21, Taulant Seferi. Ai realizoi me penallti golin e tretë për Uinterthurin.

Vetëm 13 minuta për sulmuesin Bekim Balaj në kampionatin rus, ku Akhmat Grozni u mund 1-0 në fushën e Zenitit. Eros Grezdës iu besua fanella e titullarit nga trajneri Stiven Xherrad këtë radhë, por sulmuesi i krahut nuk la shenjë dhe u zëvendësua.

Fiorin Durmishaj

Sulmuesi Fiorin Durmishaj ka shënuar një gol në fitoren 3-0 ndaj Panetolikos në Greqi. Lojtari i ekipit Shpresa ka treguar vlerat e tij, duke qenë i rëndësishëm për Panioniosin. Kaçe luajti në pjesën e dytë me Panathinajkosin, ndërsa Basha dhe Mavraj e panë nga stoli humbjen 0-1 të Arisit ndaj Olimpiakosit. Pavarësisht përvojës së tyre, ata nuk janë preferuar në këtë ndeshje shumë të vështirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë