Moti

Fundjavë e ftohtë dhe dëborë, temperaturat ulen pranë zeros

Nga Gazeta Si- Në fundjavë temperaturat e ajrit do të ulen ndjeshëm në të gjithë territorin e vendit me të shtunën që do të shënojë temperatura afër zeros ndërkohë që në zonat malore priten reshje dëbore.

Reshjet e shiut do të jenë të konsiderueshme në orët e vona të mbrëmjes së të premtes dhe sipas parashikimeve, mëngjesi i së shtunës do të shfaqi reshjet e dëborës që kryesisht më të dukshme do jenë në zonat verilindore dhe në skajin juglindor të territorit shqiptar. Qarqet që do preken nga reshjet e dëborës janë Kukësi, Peshkopia, Bajram Curri, Puka.

Për sa ai përket ditës së diel, do kemi përmirësime të dukshme të kushteve të motit duke bërë që të kemi alternime kthjellimesh dhe vranësira. Kushtet atmosferike në vendin tonë, pritet të përmirësohen më 19 nëntor.

Dallgë deri në 3 metra, pezullohet lundrimi i tragetit Durrës-Bari e anasjelltas

Për shkak të motit të keq, autoriteti portual i Durrësit ka njoftuar pezullimin e përkohshëm të trageteve mbrëmjen e sotme nga Porti i Durrësit drejt Portit të Barit (Itali) dhe anasjelltas.

Ndërkohë trageti i linjës Durrës-Ancona dhe anasjelltas do të vijojë lundrimin normalisht sipas parashikimit.

Vendimi u mor pasi sipas parashikimit të motit pritet të ketë përkeqësim të kushteve atmosferike dhe dallgëzim të detit deri në 3.5 metra.

"Duke filluar nga ora 12:00 datë 17.11.2023 era do të jetë me drejtimin Jug-Jug-Lindje dhe më pas në drejtimin Veri-Perëndim me shpejtësi ere deri 20-30m/s dhe lartësi dallge deri 1.70-3.50 m”, shkruhet në njoftimin e autoritetit portual.

Po ashtu është ndaluar dhënia e lejes për nisje gjatë datave 17-18-19.11.2023 duke filluar nga ora 12:00 për të gjitha mjetet e vogla lundruese, anijeve të peshkimit  dhe janë njoftuar për marrjen e masave për sigurimin e tyre.

Ndryshimet klimatike, Shqipëria do preket më shpesh nga stuhitë

Ekspertja Anira Gjoni thotë për median se Shqipëria do të preket edhe më shpesh nga stuhitë në të ardhmen, për shkak të ndryshimeve klimatike.

Ajo tha se kjo ndodh pasi rritja e temperaturës mesatare globale po rritet dhe nëse vazhdon me këtë progres, pasojat do jenë edhe më të mëdha.

“Ajo që kemi vënë re gjatë 5-vjeçarit të fundit është se ne po prekemi më shpesh nga të gjitha këto stuhi që quhen kapriçot e motit por ne i quajmë ngjarje ekstreme të motit, do prekemi edhe më shpesh ndoshta”, tha ajo, duke shtuar më tej se temperatura mesatare globale po rritet dhe po të vazhdojë në këtë mënyrë progresive me të cilën po vazhdon, atëherë edhe pasojat do të jenë më të mëdha.

“Thirrja e të gjitha agjencive ndërkombëtare që merren me pjesën e ndryshimeve klimatike apo monitorimeve të klimës, është që ne do duhet të marrim masa që mos të lejojmë që kjo temperaturë të vazhdojë të rritet në këtë mënyrë të frikshme. Duhet të mësohemi me klimën e re me temperatura më të ngrohta, sepse çdo vit e më shumë vendi ynë merr karakteristika më të theksuara të klimës subtropikale, çka do të thotë se duhet të mësohemi me temperatura më të ngrohta dhe me reshje më intensive”, shprehet Gjoni.

E pyetur se di do jetë stina e dimrit këtë vit, i acartë apo i butë, ekspertja tha se muaji dhjetor që është dhe muaji i parë i dimrit, do jetë më i thatë sesa nëntori dhe me temperatura më të ulëta.

“Ky nëntor u shoqërua me temperatura 1-2 gradë më të larta sesa normalja që duhet të ishte për këtë muaj. Është i ngjashëm me pesë nëntoret e fundit. Dhjetori pritet që të jetë më i ngrohtë seç ka qenë dhe më i thatë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë