Kombetarja

FSHF zyrtarizon miqësoren me Lihtenshtejnin, do të luhet në Austri më 3 qershor

Gazeta Si – Tri miqësore të siguruara zyrtarisht deri tani për kuqezinjtë përpara Europianit të Gjermanisë. Asnjëra prej tyre nuk do të zhvillohet në Shqipëri: njëra në Itali, tjetra në Suedi dhe e treta në Austri.

FSHF ka zyrtarizuar zhvillimin e miqësores me Lihtenshtejnin më 3 qershor, në Austri. Sipas njoftimit të FSHF-së, dy federatat kanë arritur akordin, ndërsa stadiumi dhe ora e kësaj ndeshjeje do të përcaktohen më vonë.

Pas dy miqësoreve të marsit, ku kundërshtarët janë të fortë, Kili dhe Suedia, vjen edhe ky test në prag të eventit të madh të verës. Është logjike që para tij të luhet ndaj kundërshtarëve më të lehtë, siç është Lihtenshtejni. Me këtë ekip Shqipëria ka luajtur 3 herë më parë (dy zyrtare dhe një miqësore) dhe në të tre rastet ka fituar skuadra jonë me rezultatin 2-0.

Në muajin qershor pritet që kuqezinjtë e Silvinjos të zhvillojnë edhe një tjetër ndeshje testuese dhe mbetet për t’u parë cili do të jetë kundërshtari.

Kombëtarja shqiptare luan ndeshjen e parë të Europianit më 15 qershor ndaj Italisë, në “BVB Stadion Dortmund”. Më pas luajmë me Kroacinë dhe në fund me Spanjën. Kuqezinjtë kanë tre kundërshtarë të fortë në grup, por do të tentojnë të bëjnë surprizën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë