Kombetarja

FSHF zyrtarizon “Air Albania”-n dhe vendos 4 emra për tribunat e stadiumit

Zyrtarizohet emri komercial i stadiumit të ri, “Air Albania Stadium”. Një çështje që ka ngjallur polemika, sepse kompania fituese nuk plotëson kushtet e vendosura nga vetë FSHF-ja për ankandin e emrit të stadiumit. Nga ana tjetër, opinioni publik ka qenë i ndarë, duke dashur që stadiumi të ketë emrin e një personaliteti të futbollit, apo të trashëgojë emrin e mëparshëm, “Qemal Stafa”. Në këto kushte, FSHF-ja ka bërë një zgjedhje alternative për t’i kënaqur të gjithë, duke u vënë emra katër tribunave të stadiumit.

“Qendra Sportive Kuq e Zi Sha njofton opinionin publik për përfundimin e procesit të përzgjedhjes së partnerit për të drejtat e emrit të stadiumit. Në këtë proces pati 2 oferta financiare konkrete dhe 4 shprehje interesi. Ofertuesit ishin kompania ajrore “Air Albania” dhe kompania e njohur e karburanteve “Bolv Oil”. Këshilli i Administrimit i Qendra Sportive Kuq e Zi sha, në vlerësim të ofertave vendosi të përzgjedh shoqërinë “Air Albania Shpk”, përzgjedhje që u aprovua nga Asambleja e Përgjithshme e Aksionarëve (75% Federata Shqiptare e Futbollit dhe 25% Ministria e Financave dhe Ekonomisë). Dje u nënshkrua kontrata e sponsorizimit mes palëve Qendra Sportive Kuq e zi dhe “Air Albania”, sipas të cilës kompania ajrore do të ketë të drejtën e vënies së emrit ‘Air Albania Stadium’. Nga sot e deri në përfundim të kontratës 5-vjeçare, stadiumi do të quhet “Air Albania Stadium”. Shoqëria “Air Albania shpk” është krijuar në vitin 2018, me aksioner kryesor “Turkish Airlines” (49%), duke qenë në këtë mënyrë përfaqësuesi zyrtar i gjigantit botëror të fluturimeve në tregun shqiptar. Shteti shqiptar gjithashtu zotëron 10% të aksioneve të shoqërise, me anë të “Albcontrol Sha”, - shkruhet mes të tjerash në njoftimin zyrtar të FSHF-së sa i takon emrit të stadiumit.

Më tej, bëhet e ditur se tribunat e stadiumit do të kenë emra të personaliteteve të historisë dhe të futbollit shqiptar. Janë katër tribunat e stadiumit të ri, që do të kenë emrat e tyre, duke filluar me Qemal Stafën, siç quhej më parë stadiumi, për të vazhduar me legjendat Panajot Pano, Fatmir Frashëri dhe Vasillaq Zëri. Një zgjedhje për t’i kënaqur të gjitha palët nga FSHF-ja, por se sa efekt do të ketë, kjo mbetet për t’u parë. Tribuna qendrore e stadiumit do të marrë emrin Qemal Stafa, tribuna Ballore Panajot Pano, tribuna veriore Fatmir Frashëri dhe tribuna jugore Vasillaq Zëri. Sipas FSHF-së, në këtë mënyrë respektohen personalitetet dhe mbahet gjallë përgjithmonë kujtesa historike e stadiumit të vjetër.
“Air Albania Stadium” do të inaugurohet ditën e diel, kur Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit eliminatore të Euro 2020 ndaj Francës kampione bote.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë