Futboll

FSHF shtyn 2 ditë ndeshjen e Kukësit për një virozë, Erzeni s’është dakord

Gazeta Si – Ndeshja Erzeni-Kukësi, e parashikuar për t’u luajtur ditën e shtunë, është shtyrë vetëm 24 orë para zhvillimit të saj për ditën e hënë. Vendimi i FSHF-së ka shkaktuar jo pak kaos në lidhje me këtë ndeshje.

Në njoftimin zyrtar nga institucioni që drejton futbollin në vend thuhet se vendimi është marrë pas dakordësisë së dy klubeve. Por shijakasit nuk e miratojnë këtë variant, madje ata kanë ftuar tifozët të jenë sa më të shumtë të shtunën në stadium.

Erzeni para nje ndeshjeje. Gazeta Si, 14 tetor 2022

FSHF nuk e përmend shkakun e shtyrjes së ndeshjes, që nga burime jozyrtare është thënë se ka të bëjë me një virozë që ka prekur ekipin e Kukësit. Nëse është vërtet kështu, shtyrja është e pajustifikuar. Çdo klub mund të preket nga virozat, por në asnjë rast ky nuk shërben si shkak të shtyrjen e ndeshjes.

Klubet e Superiores kanë një grup të madh lojtarësh në dispozicion, plus kanë edhe ekipet U-21, nga ku mund të marrin lojtarë në rast nevoje. Klubi i Kukësit është pak ‘i përkëdhelur’ nga FSHF-ja, por vendimi i sotëm mund të krijojë një precedent të rrezikshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë