Futboll

FSHF “nxjerr” në shitje emrin e “Arenës Kombëtare”

“Arena Kombëtare” ishte emri që e shoqëroi stadiumin e ri në kryeqytet vetëm gjatë fazës së ndërtimit të tij, sepse shumë shpejt ky stadium do të ketë një emër të ri, emrin e një sponsori. FSHF-ja e ka nxjerrë në ankand dhe ka shpallur kriteret për sponsorët që dëshirojnë t’i vënë stadiumit emrin e tyre.

Gjithçka bëhet e ditur zyrtarisht nga Federata Shqiptare e Futbollit, që është në kërkim të kompanive serioze dhe për këtë ka vënë këto kushte: Të jetë një kompani me një xhiro prej të paktën 10 milionë eurosh në vit. Të jetë një kompani, që gëzon emër të mirë dhe reputacion të rëndësishëm kombëtar ose ndërkombëtar. Ankandi fillon me shifrën dysheme prej 600 mijë eurosh dhe emri i stadiumit do të shitet për një afat kohor prej 5 vjetësh.

Tani FSHF do të presë ofertat e kompanive të interesuara deri më 15 gusht. Me shumë gjasa, “Arena Kombëtare”, që konsiderohet shtëpia e kuqezinjve, do të pagëzohet me një emër të ri, me ndonjë kompani telefonie celulare, kompani karburantesh apo të ndonjë kompanie tjetër të fuqishme, që plotëson kriteret e vëna nga Federata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë