Futboll

FSHF kallëzon në polici shkaktarët e dhunës në sfidën Partizani-Flamurtari

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar me ashpërsi për dhunën e ushtruar ndaj fotografit të klubit dhe lojtarëve të Flamurtarit gjatë ndeshjes Partizani-Flamurtari të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Selman Stërmasi”. Në një njoftim të shpërndarë për mediet, FSHF thotë se ngjarje e tillë nuk ka aspak lidhje me lojën e futbollit dhe frymën “Fair Play” që duhet të përcjellin të gjithë. Federata ka edhe një mesazh për klubet që të punojnë sa më shumë me tifozeritë dhe stafet e tyre që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Në të njëjtën kohë FSHF kërkon nga organet ligjzbatuese, Policia e Shtetit dhe Prokuroria që të vendosin përpara ligjit agresorët të cilët janë evidentuar nga pamjet filmike. FSHF dhe zyrtari i Klubit Flamurtari kanë dorëzuar kallëzimin penal dhe kërkojnë nga Policia veprim. “FSHF do të qëndrojë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet përkatëse të rendit dhe me klubet për ti dhënë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi, që dëmton dhe cënon imazhin e futbollit shqiptar. Situata dhe ngjarje të tilla nuk duhet të përsëriten më në stadiumet shqiptare.”- shkruhet në njoftimin e shpërndarë nga Federata.

Ndërkohë në këtë reagim për dhunën e djeshme në “Selman Stërmasi”, FSHF nuk ka ka lënë jashtë vëmendjes edhe faktin e futjes në fushën e lojës të tifozëve, që u konfrontuan fizikisht me disa futbollistë të Flamurtarit. Incidentet me tifozët e Partizanit janë të përsëritura dhe këtë herë nga Komisioni i Disiplinës pritet një dënim shumë i ashpër. Për skuadrën kryesuese të Superligës pritet një pezullim i tifozëve në shkallët e stadiumeve.

Sakaq lidhur me dhunën e djeshme ka ardhur edhe reagimi nga klubi i Partizanit. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediet, klubi kryeqytetas distancohet nga aktet e dhunës, duke kërkuar nga të gjithë aktorët që të marrin përgjegjësitë që iu takojnë.
“Dëshirojmë të saktësojmë se autorë të këtij incidenti ishin disa individë të cilët kurrsesi nuk mund të përgjithësojnë tifozerinë e madhe të Partizanit, e cila u distancua menjëherë dhe në stadium nga këta individë që nuk dimë se interesat e cilës palë përfaqësojnë.”- shkruan Partizani ndër të tjera.
Në reagimin e tyre kryesuesit e Superligës theksojnë se fotografi i sulmuar ka provokuar tifozët dhe nuk ka qenë në listën e zyrtarëve që ka paraqitur Flamurtari në ditën e ndeshjes.

https://www.facebook.com/partizaniclub/photos/a.264934397034297/1015430961984633/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë