Muzike

‘Frymon’/ Festivali Ndërkombëtar i instrumenteve të drunjtë, një mënyrë për ta zhvilluar më shumë këtë familje instrumentesh

Nga Gazeta Si - Festivali Ndërkombëtar i Instrumenteve të drunjtë “Frymon” vjen në edicionin e dytë. Festivali, i cili nisi mbrëmjen e 5 korrikut do të vijojë për 10 ditë në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Artistë nga mbarë bota do të jenë pjesë e këtij festivali, me një simbolikë të veçantë: “Të marrësh frymë, të jetosh”.

“Jo më kot është zgjedhur ky emër pasi edhe vetë instrumentet e përfshirë frymojnë, apo marrin jetë nëpërmjet drurit të pemëve që na furnizojnë me oksigjen për të jetuar dhe frymës së muzikantëve që i marrin në duar”, thotë për Gazetën “Si” drejtoresha artistike e festivalit dhe njëkohësisht pedagoge e Universitetit të Arteve, Xhovana Marku.

Sipas Markut në thelb ky festival është një akademi verore ku nxënësit dhe studentët vazhdojnë të thellojnë njohuritë e tyre edhe gjatë pushimeve, si edhe një hapësirë për të performuar muzikantë nga vende të ndryshme me karriera të afirmuara.

“Në këto 10 ditë të festivalit do të zhvillohen rreth 4 koncerte dedikuar studentëve e profesionistëve. Masterklase në instrumentet flaut, oboe, klarinetë, fagot dhe korno. Konkursi në muzikë dhome ku patjetër njëri prej grupeve që krijohen dhe konkurrojnë shpallet fitues. Si edhe ushtrime në grup për frymëmarrjen, mirëqenien fizike dhe shpirtërore të të gjithë muzikantëve”, shprehet më tej drejtoresha artistike, Xhovana Marku.

Edicioni i dytë ka sjellë instrumentistë dhe profesorë për masterclass-e të ndryshëm nga edicioni i parë në mënyrë që studentët të kenë mundësi të njohin artistë të ndryshëm të skenës botërore.

“Pjesëmarrësit janë të ndarë në dy kategori: profesionistët, pra ata që japin mësime apo që janë juria e konkursit dhe studentët, ata të cilëve u kushtohet gjithë kjo hapësirë për t’u zhvilluar dhe frymëzuar”.

Marku thotë se muzikantët profesionistë që do të jenë këto ditë pjesë e koncerteve apo masterclass-eve vijnë nga vende të ndryshme si: Britania, Japonia, Hungaria, Gjermania, Bullgaria, Ukraina, Rusia, Italia, ShBA.

“E ndërkohë studentët vijnë përveçse nga Shqipëria, edhe nga Kosova dhe Maqedonia”.

Marku shton se instrumentet e drunjta kanë rëndësi themelore në një orkestër simfonike, filharmonike apo teatri, ndaj duhet të ketë më shumë vëmendje drejt kësaj dege të artit.

“Familja e instrumenteve frymorë të drunjta përbëhet nga: flaut, oboe, klarinetë dhe fagot. Gjithmonë i është dedikuar një repertor i larmishëm nga kompozitorët ndër shekuj. Në vendin tonë flauti dhe klarineta janë më shumë të njohur nga publiku i gjerë, ndërsa oboe-ja dhe fagoti më pak të njohura. Sidoqoftë ka nxënës dhe studentë shumë të pasionuar e të përkushtuar, të cilët vazhdojnë përpara me këmbëngulje në një profesion që ka goxha sfida. Por, absolutisht që si shumë degë të tjera edhe ne shpresojmë në drejtimin më të madh të vëmendjes drejt nesh në të ardhmen”, vijon më tej drejtoresha artistike e festivalit për Gazetën “Si”.

Ndaj ky festival për të do të shërbejë për të përqendruar vëmendjen edhe te zhvillimi i familjes së instrumenteve të drunjta, përkatësisht flaut, oboe, klarinetë, fagot dhe tornos.

“Nëpërmjet masterclasse-ve festivali synon të afrojë studentët me profesorë dhe muzikantë të afirmuar në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare. Nëpërmjet koncerteve do të zbulohen dhe promovohen talentet e reja. Po ashtu përmes koncerteve të profesionistëve krijohet një shkëmbim eksperiencash midis instrumentistëve të afirmuar të huaj e shqiptarë dhe studentëve. Si edhe njohja e repertorit të gjerë, jo vetëm me piano, por edhe me familje të tjera instrumentesh”, përfundon Marku për Gazetën “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë