Kombetarja

Frikë për Sadikun, sulmuesi largohet i dëmtuar nga stërvitja

Nuk kanë të sosur problemet për kombëtaren kuqezi në prag të fillimit të eliminatoreve të kampionatit europian 2020. Kur jemi vetëm dy ditë larg nga ndeshja e parë me Turqinë në “Loro Boriçi”, trajneri Kristian Panuçi do duhet të bëjë mirë llogaritë me repartin e sulmit, pasi ka disa mungesa të rëndësishme. Përveç mungesave të Cikalleshit e Manajt dhe dyshimeve për Balajn, gjatë seancës së sotme stërvitore në dyshim është vënë edhe sulmuesi tjetër i kombëtares, Armando Sadiku. Sulmuesi elbasanas i cili u rikthye në kombëtare pas një dëmtimi të gjatë, që e mbajti larg fushave për më shumë se 6 muaj, ka shfaqur disa shqetësime gjatë stërvitjes së kësaj të mërkure.

Mësohet se Sadiku ka ndjerë një dhimbje në muskul dhe nuk ka mundur dot të ndjekë ritmin e stërvitjes së ekipit. Të alarmuar nga kjo gjë, stafi mjekësor i kombëtares ka ndjekur nga afër ecurinë e futbollistit 27-vjeçar. Dyshohet se Sadiku ka shfaqur problemin për shkak të një mbingarkese në muskuj gjatë këtyre dy ditëve, pasi edhe me ekipin e tij Lugano i ka luajtur të gjitha ndeshjet këtë vit.

Gjithsesi ende nuk është asgjë përfundimtare, pasi do të mbetet për t’u parë edhe ditën e nesërme se si do të vazhdojë gjendja e sulmuesit kuqezi. Në kushtet e një mungesë të mundshme të Sadikut për sfidën me Turqinë, reparti i sulmit do të ishte në alarm total. Me Balajn jo në formën optimale nuk do të ishte çudi që për këtë ndeshje trajneri Panuçi të thërriste në grumbullim nga kombëtarja “Shpresa” sulmuesin Xhakomo Vrioni. Media online është më e shpejtë, më fleksibël dhe në disa raste edhe me komode për gazetarin për kushtet që mund t’i ofrojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë