Futboll

Frikë për Keidirën, mesfushori gjerman probleme me zemrën

Mesfushori Sami Keidira gjatë stërvitjes së fundit të Juventusit ka shfaqur disa shqetësime shëndetësore në zemër. Futbollisti gjerman mësohet se ketë pasur një aritmi kardiake që e ka detyruar atë të lërë menjëherë stërvitjen dhe të kryej një sërë ekzaminimesh. Pas rikthimit nga dëmtimi në gju i para pak muajsh, Keidira dalëngadalë kishte filluar të bëhej i rëndësishëm për Juventusin duke luajtur në disa ndeshje si titullar, por tani do i duhet të ndalet sërish.

Mesfushori gjerman nuk ka udhëtuar me ekipin drejt Madridit, aty ku Juventus do të ndeshet me Atletikon. Por nuk bëhet fjalë për një gjë të kalueshme lehtë, pasi parashikohet që Sami Keidira të qëndrojë jashtë fushave të lojës për të paktën 30 ditë. Lajmin e trishtë për të gjithë ambientin futbollistik e ka konfirmuar edhe vetë trajneri i bardhezinjve, Masimiliano Alegri.

Problemi besohet se nuk është i ri për mesfushorin gjerman, pasi ai edhe më herët kishte pasur shenja të këtij lloj problemi. Në ditët në vijim Keidira do të nisë edhe ekzaminimet e detajuara dhe fazën rehabilituese për të parë më pas se kur mund të rikthehet në fushë për të luajtur me ritmin e duhur. Ky problem për Keidirën është një shqetësim më shumë për trajnerin e Juventusin në momentin më delikat të sezonit. Juventus është drejt mbylljes së çështjes së titullin në Serinë A, por do i duhet shumë punë dhe fat në Ligën e Kampionëve, ku sigurisht që edhe përvoja e Keidirës do të ishte shumë e vlefshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë