Kombetarja

Francezët ja fusin kot me Himnin, Kuqezinjtë refuzojnë të luajnë

Shqipëria është ndeshur me Francën nëntë herë dhe u desh hera e dhjetë që organizatorët francezë të bëheshin protagonistë ende pa filluar takimi dhe të ndezin një debat që me gjasë do të vazhdojë për disa ditë me radhë.

Në momentin që lojtarët e skuadrave u rreshtuan për të dëgjuar himnet respektive, siç e do tradita dhe rregullorja e FIFA-s, himni i skuadrës mike është ai që luhet i pari. Me këtë ide në mendje, francezët vunë në sfond disa tinguj, që vetëm Himni i Shqipërisë nuk ishin.

Ata vunë himnin e Andorrës. Lojtarët e kuptuan dhe menjëherë iu drejtuan gjyqtarit për t’i thënë se çfarë nuk po shkonte, ndërkohë që nga stoli u ngritën përfaqësuesit e tjerë të skuadrës tonë Kombëtare për t’i mbështetur.

Menjëherë, himni i gabuar u ndërpre dhe lojtarët refuzuan që të fillonin ndeshjen pa dëgjuar më parë Himnin. U deshën disa momente deri kur francezët të gjenin Himnin e Shqipërisë. Në pamje të parë duket një gabim njerëzor, për të cilin do të flitet gjatë, të paktën në Shqipëri. Por edhe kur kërkuan falje, ata folën për himnin e Armenisë. Pra Federata Franceze as e kishte idene se me kë po luante kombëtarja e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë