Kombetarja

Franca merr komandën në renditjen e FIFA-s, Shqipëria në vendnumëro

Pasi ka ngritur lart Kupën e Botës në Rusi, Franca ka marrë edhe komandën në renditjen e FIFA-s për ekipet kombëtare. Skuadra e trajnerit Deshamp ngjitet kështu 6 vende në renditjen e sapo shpallur nga FIFA. Diçka normale, duke pasur parasysh suksesin e fundit të “gjelave”. Franca rrëzon nga froni Gjermaninë, që ka përfunduar në vend të 15-të, pas dështimit në Botërorin e fundit. Kampionët francezë kthehen në krye të renditjes pas plot 16 vjetësh, pra që nga viti 2002.

Në pozicionin më të keq të të gjitha kohërave ndodhet Italia, që mbeti jashtë Botërorit dhe tani e sheh veten në vend të 21-të. Ky është një rekord negativ për skuadrën e trajnerit Mançini, pasi ka përfunduar pas skuadrave si Uellsi dhe Peruja. Italia nuk kishte zbritur kurrë më parë poshtë vendit të 20-të, që e ka mbajtur në vitin 1993. Vlen të përmendet “galopimi” i Rusisë në këtë renditje, pasi ka fituar 20 vende në krahasim me renditjen e mëparshme.

Dhjetë skuadrat e para në renditjen e fundit të FIFA-s

Renditja aktuale vlen deri më 20 shtator të këtij viti dhe është e para e publikuar nga FIFA, pas modifikimit të parametrave që merren në konsideratë për të llogaritur klasifikimin. Rëndësi do të kenë ndeshjet zyrtare në kalendar, me një algoritëm që kalkulon pikët në bazë të koeficientit të vështirësisë së ndeshjes. Miqësoret që nuk janë në kalendar vlerësohen me 0.5 pikë, kurse ato të parashikuara nga  FIFA me 1 pikë. “Nations League”, që starton në shtator, vlerësohet me 1.5 pikë për ndeshjet në grup dhe me 2.5 pikë për ndeshjet e “play-off”-it dhe fazën finale. Llogaritja do të bëhet në bazë të rezultatit të ndeshjes, ku fitorja vlen 1 pikë, barazimi 0.5 pikë dhe humbja 0 pikë, ndërkohë që merret parasysh edhe pozicioni i dy sfidantëve.

Shqipëria dhe Kosova

Shqipëria mban sërish vendin e 58-të në renditjen e fundit të FIFA-s, pra nuk ka ndryshuar asnjë pozicion, ashtu si edhe Kosova, që e sheh veten sërish në vend të 141-të, si një muaj më parë. Ndeshjet e Nations League do të kenë ndikim në renditjen e muajit të ardhshëm të FIFA-s. Kuqezinjtë presin Izraelin më 7 shtator në stadiumin “Elbasan Arena” dhe më pas shkojnë në Skoci më 10 shtator. Këta janë dy kundërshtarët në grup të Shqipërisë në këtë kompeticion dhe rezultatet e këtyre dy ndeshjeve do të tregojnë pozicionin e kuqezinjve në renditjen e ardhshme.

Kombëtarja e Shqipërisë

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë