Kosova

Franca mbështet Kosovën, por me kushtin që të gjejë zgjidhje me Serbinë

Franca i premton Kosovës mbështetje në përpjekjet e saj për të ndërtuar një demokraci funksionale dhe shtet ligjor, të denjë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Por, kushti i vendosur nga Parisi është gjetja sa më shpejt që të jetë e mundur e një marrëveshje me Serbinë. Kjo kërkesë u shqiptua nga Presidenti Emanuel Macron gjatë takimit që pati me Albin Kurtin në kryeqytetin francez.

Macron bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë një kompromis që do të bëjë të mundur që të dyja vendet të shtrojnë të ardhmen e tyre europiane.

“I bëj thirrje Kosovës dhe Serbinë për tu angazhuar si evropianë në gjetjen e një kompromisi që do t’i bëjë Beogradin dhe Prishtinën të kthehen drejtë një të ardhmeje europiane. Ky është interesi i Kosovës”, tha ai duke u zotuar se Kosova do të ketë mbështetjen e Francës në të gjitha proceset që do ta çojnë përpara këtë vend”, tha Macron.

Kryeministri Kurti tha se “Europa është bashkimi më i mirë për t’i hedhur bazat e një paqeje afatgjatë dhe të konceptuar drejt”.

Ai tha se Franca është model për Kosovën në ndërtimin e strukturës kushtetuese, në vendosjen e sundimit të ligjit dhe lirisë së shprehjes.

Presidenti francez është pjesë e përpjekjeve për të nxitur një marrëveshjeve normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u takuan javën e kaluar në Bruksel, por pa ndonjë përparim.

Të dyja palët janë pajtuar të vazhdojnë bisedimet muajin e ardhshëm, por gjykuar nga qëndrimet e tyre duket ende e largët mundësia e një marrëveshjeje që është kusht për integrimet europiane të të dyja palëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë