Kosova

Franca kushtëzon Kosovën? Macron: Asociacioni i rëndësishëm për anëtarësimin në KiE

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në kontekst të rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Në një telefonatë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Macron ka shprehur keqardhje për dështimin e votimeve të 21 prillit në veri të Kosovës, për largimin ose jo të kryetarëve dhe bëri thirrje për zgjedhje të reja, me pjesëmarrje të komunitetit serb.

Në njoftimin e presidencës franceze thuhet se Macron, përsëriti “mbështetjen e palëkundur të Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës”.

Ai nënvizoi përkushtimin e tij për dialogun me Serbinë dhe mbështetjen për ndërmjetësimin evropian, si dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Presidenti francez, thuhet në njoftim, ka përshëndetur zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit ndërsa ka shprehur keqardhjen për dështimin e votimit përlargimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

“Organizimi i zgjedhjeve të reja sa më shpejt është i domosdoshëm, me pjesëmarrjen e popullatës serbe”, thuhet në deklaratë.

Javën e kaluar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i hapi Kosovës rrugën e anëtarësimit në këtë organizatë, fjalën përfundimtare për të cilin duhet ta jap Këshilli i ministrave në 16 maj.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se në bisedën telefonike me presidentin francez, Emanuel Macron ka shprehur besimin që Franca do ta mbështetë anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Europës, pa parakushte.

“Në një telefonatë me presidentin Macron, e falënderova për mbështetjen e palëkundur të Francës për Kosovën dhe shpreha besimin tonë se Franca do të mbështesë Kosovën në Këshillin e Evropës, pa parakushte të mëtejshme, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votën historike. Gjithashtu insistova në respektimin dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë”, shkroi Kurti në platformën X.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë