Futboll

Franca do të kërkojë përjashtimin e Rusisë nga Botërori, edhe Çelsi dënon sulmin rus

Gazeta Si - Sulmi ushtarak i Rusisë në Ukrainë ka pasoja edhe në botën e sportit. Të gjitha aktivitetet në territorin rus janë pezulluar, ndërsa reagimet nga vende dhe klube të ndryshme nuk kanë munguar që në momentin e parë të luftës.

Franca është gati të kërkojë përjashtimin e Rusisë nga Botërori i Katarit. Qëndrimin e ka bërë të ditur Noel Le Graet, president i Federatës Franceze të Futbollit, gjatë një interviste për ‘Le Parisien’. Pas nisjes së luftës në Ukrainë, kjo federatë është gati të diskutojë për një përjashtim të skuadrës ruse (që merr pjesë në play-off më 24 dhe 28 mars) nga Botërori.

"Nuk kam folur ende me federata të tjera, por jam pro përjashtimit të Rusisë, - ka thënë Graet. – Zakonisht, besoj se sporti bashkon njerëzit dhe ul tensionet. Bota e futbollit dhe në veçanti futbolli, nuk mund të qëndrojë neutralë. Sigurisht, do të kërkoj përjashtimin e Rusisë". Një tjetër mesazh i qartë për FIFA-n.

Polonia ka refuzuar e para të luajë ndaj Rusisë në ‘play-off”, por të njëjtën gjë kanë bërë edhe Suedia dhe Çekia. “Nuk është e mundur të luajmë kundër Rusisë në situatën aktuale, as në fushë neutrale. Duam të gjithë që lufta të përfundojë sa më parë”, - shkruhet në një njoftim të federatës çeke.

Për situatën ka reaguar edhe klubi i Çelsit, një ditë pasi Roman Abramoviç u largua nga posti i presidentit të tij. “Situata në Ukrainë është e tmerrshme dhe e papranueshme. Lutjet tona shkojnë për të gjithë njerëzit në Ukrainë. Të gjithë pjesëtarët e klubit po luten për paqen”, - shkruhet në qëndrimin e klubit londinez, që gjithsesi mbetet pronë e Abramoviçit, manjatit rus që njihet për lidhjet që ka me Putinin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë