Kosova

Franca dhe Gjermania ftojnë Kosovën dhe Serbinë të frymëzohen nga pajtimi franko-gjerman

Ambasadorja e Francës Marie-Christine Butel dhe Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, kanë shkruar një tekst të përbashkët autorial duke kujtuar 59 vjetorin e traktatit Elysee midis Francës dhe Gjermanisë, që i dha fund armiqësisë mes tyre pas tri luftërave në 70 vjet që shkaktuan miliona vdekje.

Në këtë aspekt, dyshja ka kërkuar që ky traktat të jetë inspirim edhe për Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë pajtimin dhe paqen mes tyre.

Ata thonë se Kosova dhe Serbia janë Europë, dhe se Ballkani Perëndimor është në zemër të saj.

Sipas tyre, Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare të tij, në ballë të të cilave janë Franca dhe Gjermania, ofrojnë mbështetje të fuqishme për Kosovën dhe Serbinë, “të cilat janë të destinuara të integrohen në Bashkimin tonë”.

“Kështu që sot ftojmë Kosovën dhe Serbinë që të marrin këtë frymëzim për t'u angazhuar plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe Përfaqësuesi i Posaçëm, Miroslav Lajçak. Kjo është rruga më e mirë drejt paqes, prosperitetit dhe drejt BE-së. Pikërisht në këtë dialog duhet të bëhen propozime konstruktive, të cilat ruajnë të ardhmen dhe interesat reciproke të të dy vendeve, si dhe të qytetarëve të të dyja vendeve. Sepse, përmes këtij dialogu mund të ndërtohet besimi me respekt për njëri-tjetrin dhe për marrëveshjet e kaluara dhe të ardhshme”, kanë thënë ambasadorët europianë.

Franca dhe Gjermania, thanë Butel dhe Rohde, do të vazhdojnë të jenë aty për të mbështetur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe të gjitha reformat që i afrojnë të dyja vendet drejt integrimit europian, në të mirë të demokracisë dhe të gjithë qytetarëve evropianë.

Ndër të tjera, dyshja ka thënë se janë të bindur se “do të ishte gabim të mendohet se status quo-ja aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e mirë për këdo”.

“Është një sklerozë dhe një pengesë për zhvillimin e të dy vendeve, një rrezik jostabiliteti për rajonin dhe për Europën në tërësi”, theksuan ambasadorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë