Ekspozite

‘Fotoreporteri në kohën e duhur, në vendin e duhur’, ekspozita te “Marubi’

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, çel sot ekspozitën personale të Michel Setboun, titulluar “Fotoreporteri në kohën e duhur, në vendin e duhur” dhe e kuruar  nga drejtori i “Marubit”, Luçjan Bedeni.

Setboun e vizitoi Shqipërinë për herë të parë në 1981. Të kësaj vizite janë shkrepjet e serisë ‘Shqipëria në vitin 1981′, në të cilën nuk gjejmë asnjë imazh që tregon realitetin e burgjeve, kampeve të internimit, shkatërrimin e objekteve të kultit apo skamjen ku jetonin shqiptarët. “Jeta në rrugë nën regjimin komunist në Shkodër” është e vetmja foto e shkrepur tinëz, në të cilën dallohet habia që shqiptarët kishin kur shikonin të huajt.

Ardhja e Setboun-it në ‘90-tën ishte e ndryshme prej kohës kur vinte i kamufluar si turist në një vend të izoluar. Këtë herë ai shfaqet si fotoreporteri në aksion që punonte për agjencitë e huaja të lajmeve të cilat donin të dokumentonin rënien e sistemit komunist.

Ishin pikërisht shkrepjet e Setboun-it ato që fiksuan ikjen e madhe të shqiptarëve në Evropë më 2 korrik 1990,  të paraqitura në serinë “Exodus”,  zgjedhjet e para pluraliste në serinë “Fillimet e demokracisë” dhe ngjarjet e ndodhura pas demonstratës antikomuniste të 2 prillit 1991, në Shkodër, në serinë “Trazirat dhe funeralet e prillit 1991”.

Ekspozita është e fokusuar vetëm në rolin e Setboun-it në dokumentimin e rënies së regjimit komunist në Shqipëri e të disa ritualeve që shkrepi pas viteve ’90.

Michel Setboun është fotoreporteri i cili dokumentoi rënien e komunizmit në Shqipëri (1990-91), luftën për pavarësi në Angola (1976), luftën civile në El Salvador (1983), revolucionin islamik iranian (1979), krizën e refugjatëve në Nigeri (1982) dhe sulmin terrorist me 11 shtator ndaj kullave binjake në New York (2001). (ATA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë