Futboll

Fotografi- Aleks Morgan, ylli i futbollit botëror dhe kopertinave

“Ajo është futbollistja më e famshme e gjeneratës së saj”. E thonë drejtuesit e futbollit në Amerikë dhe duhet besuar. Aleks Morgan u bë edhe më e famshme për festën e golit me imitimin e gjestit të pirjes së çajit në Botërorin e futbollit të femrave në Lion të Francës, ku Amerika u shpall kampione. Megjithatë, për të mësuar më shumë për të mjafton t’i hedhësh një sy listës së “Time”.

Në sytë e botës, Aleks Morgan është sulmuesja që udhëhoqi Amerikën në fitimin e Kupës së Botës në Francë, pavarësisht se shumë vëmendje mori edhe lojtarja tjetër, Megan Rapinoe, për shkak të përplasjeve të saj me presidentin Donald Tramp. Festa e golit me “pirjen e çajit” në ndeshjen ndaj Anglisë krijoi polemika dhe kontribuoi që Botërori i futbollit të femrave të merrte më shumë vëmendje. Gjithsesi, numri 13 i Amerikës është një personazh i njohur. Në listën e 100 personave me më shumë influencë në botë që prestigjiozja “Times” publikon çdo vit, bën pjesë edhe Morgan. Ajo mban vendin e 36-të në klasifikimin e sportistëve më komercialë të planetit dhe është zgjedhur për kopertinën e revistës, për luftën e saj në lidhje me barazinë gjinore.

Ajo është 30 vjeç dhe ka një palmares të pasur. Jo vetëm dy titujt kampione bote, i fundit në Francë dhe ai i 2015-ën në Kanada. Ka fituar edhe një medalje të artë olimpike në Londër në vitin 2012, si dhe një Champions. Futbollistja amerikane ka dashur ta provojë veten edhe në futbollin europian, ku sërish ka bërë diferencën me Lionin. Ka ende vite karrierë përpara, por që tani Aleks Morgan është një legjendë e futbollit të femrave. Anglezët nuk e kanë pritur mirë gjestin e saj në gjysmëfinalen e Botërorit dhe me siguri do të vazhdojnë të preferojnë para saj mite të tjera të futbollit amerikan të femrave si Mia Ham apo Hope Solo.

Amerikanët e vlerësojnë shumë, e dashurojnë. Jo vetëm si futbolliste, por edhe si shkrimtare. Sipas “Wall Street Journal”, Morgan është e dhënë pas letërsisë dhe ka shkruar librin “The Kicks”, që ka pasur sukses, duke qenë ndër librat më të shitur dhe që më pas është transformuar në një serial televiziv. Jeta private? Aleks Morgan është e martuar me një futbollist dhe është më e famshme se ai, edhe pse Servando Karrasko luan me Los Anxheles Galaksi të Ibrahimoviç. Ai nuk ka mundur të luajë asnjë ndeshje me kombëtaren, kurse ajo numëron 168 ndeshje me fanellën e Amerikës. “I jap gjithë mbështetjen e mundshme, - thotë bashkëshorti i Morgan. – Unë shoh ndeshjet e saj dhe ajo të miat. Lidhja jonë funksionon më së miri”. Dhe në fushë funksionon gjithçka shumë mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë