Ngjarje

Foto / Një plumb i vetëm i mori jetën Pal Kolës, roja e sigurisë kishte nisur punë rreth 6 muaj më parë

Gazeta Si – Një plumb i vetëm i ka marrë jetën Pal Kolës nga breshëria e kallashnikovit që sulmoi pak pas mesnatës godinën e Top Channel.

Siç shihet edhe në foton e siguruar nga Gazetasi.al, predha ka prekur kabinën ku qëndronte roja e sigurisë private.

Plaga që ka marrë në trup ka qenë e rëndë dhe punonjësi ka ndërruar jetë në spital. 60-vjeçari kishte rreth 6 muaj që kishte filluar punë si roje sigurie në kompaninë “Oktapus” Security në Top Channel.

Deri në këtë fazë, dyshimet e policisë janë se 60-vjeçari është vrarë gabimisht, pasi objektiv i autorëve ka qenë godina e televizionit.

Mësohet se viktima ishte njeri i qetë dhe nuk kishte konflikte. Një nga fëmijët e tij jeton në Itali si emigrant.

Kola, me origjinë nga Puka ishte zhvendosur në zonën e Sharrës pranë Kombinatit për një jetë më të mirë, por fati nuk u tregua aspak i drejtë me të, pasi humbi jetën në vendin e punës.

Pali është viktima e dytë e pafajshme në një hark të shkurtër kohor nga një dorë kriminale në Tiranë.

Fiks dy javë më parë, u vra në një lokal në zonën e “Don Boskos” 58-vjeçarja Mimoza Paja, e cila nuk kishte lidhje fare me ngjarjen.

Sipas policisë, autorët kishin një tjetër shënjestër, por plumbat kapën edhe punonjësen e lokalit në mënyrë tragjike.

Makina që dyshohet se është e autorëve që sulmuan gjatë natës godinën e Top Channel, u gjet e djegur disa orë më pas ngjarjes në autostradën e Kavajës.

Viktima Pal Kola

Mësohet se makina dhe targat ishin të vjedhura në qytetin e Shkodrës një muaj më parë. Makina tip “Range Rover” është sekuestruar dhe aktualisht ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku po i bëhet ekzaminimi nga ekspertët për gjetjen e provave të mundshme.

Në makinë ndodheshin dy armë kallashnikovë, me të cilat autorët, ende të paidentifikuar (dyshohet të kenë qenë tre), qëlluan me breshëri plumbash drejt godinës së televizionit kombëtar më të madh në vend.

Policia dhe Prokuroria nuk kanë ende një pistë konkrete për sulmin e paprecedent, ndërsa kanë sekuestruar pamje të shumta filmike të godinës së televizionit dhe disa bizneseve të tjera me qëllim identifikimin e personave që kryen këtë akt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë