Nga Gazeta ‘Si’ – Akujt mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut kosovar Albin Kurti duket se janë shkrirë.
As në Prishtinë dhe as në Tiranë. U desh një konferencë në Slloveni që ata të shtrëngonin duart me njëri-tjetrin. Ky ishte ballafaqimi i parë mes dy kryeministrave që prej fillimit të tensioneve në veri në fund të muajit maj.
Natën e kaluar (27 shtator) të dy ata ishin të ftuar në darkën e mikpritjes së Kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, me kolegët e rajonit në vigjilje të Forumit Strategjik të Bled. Ndërsa sot kanë zhvilluar edhe takime kokë më kokë. Nga këto takime është konfirmuar edhe se kryeministri Albin Kurti do të jetë pjesë e samitit të Procesit të Berlinit më 16 tetor që do të organizohet në Tiranë. Lajmi është pohuar për mediat nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
LEXO EDHE:
17 orët e Ramës në Prishtinë që nuk sollën takim me Kurtin
Nga fotot e publikuara gjatë darkës dukej se Kurti e Rama kishin zgjedhur të ishin pranë.



Pse u acaruan marrëdhëniet mes tyre?
Kujtojmë se marrëdhënia mes Kurtit dhe Ramës ka qenë mjaft e tensionuar dhe të dy kanë shkëmbyer replika në distancë.
Më 8 qershor, në një konferencë urgjente për tensionet në veri, Rama bëri të ditur se i kishte dërguar Presidentit francez, Macron dhe kancelarit gjerman, Scholz një dokument konfidencial për draft-statutin e Asociacionit.
Por disa ditë me vonë, jo pa ironi, gjatë një konference për shtyp me gazetarët Kurti u përgjigj se nuk e kishte lexuar draftin e Ramës por do të ishte më mirë që atë të ia prezantonte Vuçiçit për shqiptarët e Preshevës.
Marrëdhëniet mes tyre kaluan “në një nivel delikat” kur më 13 qershor, Rama njoftoi se do të anulohej mbledhja e dy qeverive e cila ishte parashikuar të mbahej një ditë më vonë, në Gjakovë.
Me arsyetimin se situata në veri të Kosovës po agravonte me orë me bashkësinë euroatlantike (Prishtina rrezikonte sanksione nga BE-ja) Rama deklaroi se i kishte kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit një takim kokë me kokë, në një format më të ngushtë për të diskutuar zgjidhjen e krizës në veri.
Por ky i fundit nuk e kishte pranuar këtë ndryshim të beftë të planeve dhe sipas Ramës kishte insistuar sërish në realizimin e mbledhjes.
Gjithashtu një konferencë për media (5 qershor) ndërsa pritej që Rama të niste një tur në shtetet e Ballkanit Kurti e refuzoi takimin bilateral me Ramën duke deklaruar se do e takonte vetëm nëse do të mbahej mbledhja e dy qeverive.
“Në rast se nuk mbahet mbledhja për firmosjen e 13 marrëveshjeve që kanë ngelur në sirtar, nuk do të ketë takim tjetër”, citoi Kurti duke ngritur sërish jo pak pikëpyetje asokohe për raportet mes tyre dhe duke zgjedhur të mos e takonte Ramën gjatë 17 orëve të tij në Prishtinë.
Më 27 qershor Rama hodhi idenë e mbajtjes së një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë teksa bisedoi për këtë çështje në Bruksel me disa zyrtarë të lartë europianë, përfshirë edhe presidentin e KiE, Charles Michel (i cili deklaroi se e mbështeti këtë ide).
Por Albin Kurti u tregua i prerë kur gjatë një vizitë në Prizren e hodhi poshtë me skepticizëm këtë ide.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




