Rend dhe Ligj

Formulari i aplikimit për drejtuesin e BKH, nga ngjyra e flokëve dhe syve, deri tek pesha trupore

Nga kjo e premte e deri më datë 30 janar janë hapur aplikimet për kandidatët që janë të interesuar për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit, si një prej dy shtyllave kryesore të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

Formulari i aplikimit për të drejtuar BKH-në është i detajuar, ku veç gjeneraliteteve “normale” kërkohet edhe ngjyra e flokëve, ngjyra e syve e deri tek pesha trupore në momentin e aplikimit.

Me t’u plotësuar të gjitha fushat e këtij formulari, aplikimi duhet të dorëzohet përmes postës elektronike në adresën [email protected]

Në njoftimin e bërë publik nga kreu i SPAK, Arben Kraja premtohet një proces përzgjedhjeje i drejtë dhe transparant.

“Të gjithë aplikantët do të ftohen të marrin pjesë në një proces rigoroz dhe sfidues përzgjedhjeje, që përfshin aplikimin elektronik, testimin e aftësive fizike, provimin me shkrim, intervistimin e strukturuar dhe verifikimin e thelluar të pasurisë dhe integritetit. Procesi do të jetë tërësisht transparent dhe do të monitorohet nga Komisioni Ndërkombëtar”, thuhet aty.

Pas zgjedhjes, kreu i ri i BKH-së do t’i nënshtrohet një programi trajnimi me specialistët e FBI-së amerikane.

“Ne duam të zgjedhim një person që ka integritet, përvojë profesionale dhe një sërë aftësish si lider për të drejtuar dhe frymëzuar një grup prej rreth 60 hetuesish. Unë do të doja që t’iu bëja thirrje të gjithë personave të interesuar, femra dhe meshkuj, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Ligjin për SPAK-un, që të aplikojnë për këtë pozicion pune. Në mënyrë që SPAK-u të jetë i suksesshëm, ne kemi nevojë për Drejtorin më të aftë dhe më të motivuar në drejtimin e BKH-së”, thotë Kraja.

Cilat janë kriteret?

Për të aplikuar për pozicionin e Drejtorit të BKH-së, kandidati duhet të plotësojë kriteret dhe kushtet ligjore të paraqitura më poshtë:

Kandidati duhet të kenë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë të barazvlefshme me “Master i shkencave”, ose arsimin e lartë policor;

Kandidati duhet të ketë eksperiencë pune si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo i Policisë Gjyqësore, ose Hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit;
Kandidati duhet të ketë të paktën 5 vjet përvojë pune në çështje që kanë të bëjnë me veprat penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda;Në rastet e punonjësve aktualë apo të mëparshëm të Policisë së Shtetit, kandidati duhet të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”;

Kandidati nuk duhet të jenë në hetim apo gjykim për një vepër penale dhe në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ;

Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur pozicione politike në administratën publike ose funksione të tjera drejtuese në partitë politike të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit përpara momentit të kandidimit;

Kandidati duhet të kenë marrë vlerësim maksimal për aftësitë profesionale, etike dhe integritetin moral, nëse i është nënshtruar vlerësimeve të mëparshme, sipas legjislacionit në fuqi;

Ndaj kandidatit nuk duhet të jetë marrë asnjë masë disiplinore “shkarkim nga detyra” ose masa të tjera të marra kundër tij/saj, të cilat janë ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e kandidimit;

Kandidati nuk duhet të kenë qenë dhe duhet të mos jetë bashkëpunëtor, informator apo agjent i ndonjë shërbimi inteligjent;

Kandidati, për periudhën 29.11.1944 – 07.02.1991 nuk duhet të kenë qenë anëtar apo kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim – Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në procese politike të posaçme;

Kandidati dhe anëtarët e afërt të familjes së tij/saj duhet të plotësojnë dhe nënshkruajnë deklaratat për heqjen dorë nga privatësia, në mënyrë që nëse ai/ajo emërohet, komunikimet elektronike dhe llogaritë bankare të kandidatit dhe familjarëve të tij të jenë subjekt i monitorimit sipas përcaktimeve të neneve 3 dhe 6 të Ligjit Nr. 95/2016;

Kandidati do t’i nënshtrohen një procesi rigoroz trajnimi dhe do të emërohet si Drejtor i BKH-së vetëm pas përfundimit me sukses të të gjitha aspekteve të programit të trajnimit.

 

Më Shumë