Ekonomi

FMN takim me Sejkon dhe Meten: Pavarësia e Bankës së Shqipërisë, thelbësore për stabilitetin financiar të Shqipërisë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një takim me shefen e misionit të FMN-së në Shqipëri, Anke Weber, u shpreh se momenti pozitiv i zhvillimit të ekonomisë shqiptare do të vijojë edhe në të ardhmen.

Guvernatori diskutoi lidhur me qëndrueshmërinë e sektorit bankar, i cili paraqet tregues të stabilizuar apo në përmirësim të kapitalit, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë. Ai u shpreh se ky sektor ka vijuar të ofrojë fondet e nevojshme për rritjen e konsumit dhe të investimeve, duke u kujdesur – në të njëjtën kohë – të ruajë dhe kursimet e familjeve shqiptare.

Në vijim, ai shtoi se normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare gjatë periudhës 2022 – 2023 bëri të mundur reduktimin e presioneve inflacioniste, pa dëmtuar perspektivat afatmesme të rritjes ekonomike.

Nga ana e saj, shefja e Misionit të FMN-së konfirmoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur një ndikim pozitiv në ruajtjen e ekuilibrave monetarë e financiarë të vendit.

Ajo shtoi se progresi i mëtejshëm i reformave financiare të ndërmarra në vite do të sofistikojë më tej strukturën mbikëqyrëse dhe rregullatore, duke nxitur zhvillimin e tregjeve financiare, duke fuqizuar mbrojtjen e konsumatorit, si dhe duke garantuar mbrojtjen e sistemit bankar. Megjithatë, ajo theksoi se moscënimi i pavarësisë së institucionit të Bankës së Shqipërisë mbetet në çdo rast një parakusht esencial për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të stabilitetit financiar të vendit.

Më tej, Guvernatori Sejko theksoi se rënia e inflacionit në tremujorin e dytë 2024 ishte relativisht e shpejtë, e diktuar nga rritja e ofertës së artikujve ushqimorë në tregjet rajonale dhe në tregun vendas, ndaj Banka e Shqipërisë vlerësoi se lehtësimi i qëndrimit të politikës monetare pritet të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve.

Së fundmi, Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë është e angazhuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit bankar, nëpërmjet garantimit të një rregullimi dhe mbikëqyrjeje të kujdesshme të tij, nxitjen e formalizimit dhe rritjen e shkallës së edukimit dhe të përfshirjes financiare, dhe mbështetjen e integrimit evropian e ndjekjen me rigorozitet të reformave që imponon ky proces.

Ministri i Financave Ervin Mete zhvillon takim me Shefen e Misionit të FMN-së për Shqipërinë

Edhe ministri i Financave, Ervin Mete priti në një takim Weber.  

Ministri Mete përmendi zhvillimet më të fundit ekonomike në Shqipëri, ku rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2023 u vlerësua 3.63%, ndërsa niveli i inflacionit arriti në 2.1 % në muajin qershor, me rënie të ndjeshme krahasuar me një vit më parë kur ishte në nivelin 4.5%.

Ministri theksoi faktin se borxhi publik pas një periudhe të gjatë zbriti nën 60% të PBB-së në 58.9% në fund të vitit 2023 dhe projektohet të vazhdojë trajektoren rënëse edhe për periudhën në vijim.

Sa i përket të ardhurave në buxhetin e shtetit, Ministri vlerësoi se niveli i mbledhjes së të ardhurave ka vijuar të jetë pozitiv, ku për periudhën 5-mujore të vitit 2024 ato arritën në rreth 287.1 miliardë lekë, 11.2% më shumë se 5-mujori i vitit 2023, ndërkohë që në fund të vitit parashikohen të arrijnë për herë të parë në 28.8% të PBB-së.

Ministri vuri në dukje se tashmë është miratuar Strategjia e re e Menaxhimit të Financave Publike deri në vitin 2030, e cila vë theksin në rritjen e transparencës dhe kontrollit më të mirë të shpenzimeve publike.

Ministri Mete dhe Shefja e Misionit të FMN, diskutuan gjithashtu edhe mbi rishikimin e Strategjisë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave me fokus rritjen e mirëadministrimit fiskal. Ministri u shpreh se drafti është në proces finalizimi dhe së afërmi do të publikohet për konsultim publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë