Ekonomi

FMN: Rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare është sfidë, ka pasur dy goditje të forta. Rifillon në 2021

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare në afatin e shkurtër mbetet sfiduese, si pasojë e efekteve negative nga tërmeti i vitit të kaluar, si dhe atyre të pandemisë globale COVID-19. Megjithatë, FMN parashikon se ekonomia shqiptare pritet të rifillojë rimëkëmbjen në vitin 2021.

Kështu është shprehur Yan Sun, shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë gjatë një takimi on line me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në kuadër të Monitorimit Post-Programor.

Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dakordësuan se stimuli i koordinuar fiskal, monetar dhe financiar, ka qenë dhe mbetet një element vendimtar në zbutjen e pasojave negative të krizës.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke ofruar stimujt e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë gjatë gjysmës së parë të vitit, e cila ka dhënë ndikimin e saj në konsum, në investime, në punësim dhe në borxhin publik. Megjithatë, pandemia e gjeti sektorin financiar dhe atë bankar të mirëkapitalizuar e likuid, dhe këto parametra kanë vijuar të ruhen të shëndetshëm.

Më tej, Guvernatori shtoi se relaksimi i masave të distancimit social gjatë fundit të tremujorit të dytë, si dhe stabiliteti monetar dhe financiar i vendit, kanë krijuar premisa që efekti i pandemisë në ekonomi të vijë progresivisht drejt reduktimit, duke u shoqëruar me një rimëkëmbje graduale të aktivitetit ekonomik në periudhën në vijim.

Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë do të mbetet e angazhuar njëkohësisht edhe në forcimin e mëtejshëm të sistemit financiar, në bashkëpunim dhe me agjencitë e tjera relevante rregullatore, si dhe në përafrimin e mëtejshëm të kuadrit tonë mbikëqyrës e rregullator me standardet e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe parimet e Komitetit të Bazelit.

Diskutimet në kuadrin e Monitorimit Post-Programor do të vazhdojnë dhe gjatë ditëve të ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë