Ekonomi

FMN pesimiste, ul parashikimin për rritjen ekonomike në Shqipëri

Ekonomia shqiptare do të zgjerohet vetëm me 3% për 2019-ën. Ky është paarshikimi me ulje që bën Fondi Monetar Ndërkombëtar për ekonominë tonë në krahasim me parashikimin në fillim të vitit ku mendohej që ekonomia do të rritej me 3,7%.

Parashikimi është bërë në raportin me titull “Pasqyra Ekonomike Globale, tetor 2019” të publikuar të martën.

Sipas raportit, Shqipëria pritet që te ketë këtë vit një ndër ritmet më të ulëta të rritjes ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas Bosnjë Hercegovinës (2.8%) dhe në të njëjtin nivel me Malin e Zi. Kosova do të njohe rritjen më të madhe me 4.2%, e ndjekur nga Serbia me 3.5%, Maqedonia e Veriut, me 3.2%.
Një javë më parë edhe Banka Botërore parashikoi me ulje ritmin e rritjes së ekonomisë shqiptare për vitin ku jemi në 2.9%, nga 3.6% që e kishte parashikuar në fillim të vitit.

Arsyet e artikuluara nga BB për tkurrjen ekonomike të Shqipërisë përpos faktorëve të jashtëm, ishin rënia e eksporteve dhe investimeve të jashtme, rënia e prodhimit të energjisë, etj.

BB referoi në raport se rreziqe të tjera që i kanosen ekonomisë duke shkaktuar tkurrjen e saj janë paqëndrueshmëria politike, zbatimi i ngadaltë i reformave strukturore, pasiguria në ekonominë ndërkombëtare, ritmet e rritjes së BE-së më të ngadalta se parashikimet dhe çmimet e metaleve bazë në nivel ndërkombëtar më të ulta se parashikimi.

Banka Botërore do të parashikonte për 2020 një zgjerim 3,5 % të PBB-së së Shqipërisë, kurse Fondi është treguar më “bujar” në parashikimin e tij. Sipas FMN, ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet në 2020 me 4%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë