Ekonomi

FMN paralajmëron se rimëkëmbja ekonomike do të jetë e pabarabartë

“Eventi” gjashtëmujor i FMN-së për ministrat e financave dhe bankierët qendror sapo ka filluar dhe tashmë ka tërhequr shumë vëmendje. Për ditë të tëra bordi i FMN-së diskutoi mbi fatin e shefes së saj, Kristalina Georgieva, pasi një hetim tha se ajo kishte ushtruar presion mbi zyrtarët për të ndryshuar një renditje të vendeve në punën e saj të mëparshme në Bankën Botërore. The Economist bëri thirrje që ajo të japë dorëheqjen. Tetë takime më vonë bordi tha se provat "nuk demonstruan plotësisht" se Georgieva kishte vepruar në mënyrë të pahijshme dhe se kishte "besim të plotë" në të.

Me të ardhmen e saj të vendosur, Georgieva mund të shpresojë të tërheqë vëmendjen te perspektivat për ekonominë botërore. Parashikimi kryesor i Fondit për rritjen e PBB -së globale në 2021 ka ndryshuar pak që nga rishikimi i mëparshëm në korrik, por ndryshimet në parashikimet tregojnë shumë për forcat e ndryshme që dëmtojnë ekonominë botërore. Perspektivat për Amerikën dhe Gjermaninë në 2021 ranë poshtë për shkak të ndërprerjeve të furnizimit dhe mungesës së inputeve prodhuese. Parashikimet për Japoninë dhe vendet në zhvillim të Azisë u ulën për shkak të përhapjes së variantit Delta të Covid.

Parashikimet e rritjes ekonomike për prodhuesit e mallrave në Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme, nga ana tjetër, u rishikuan, duke pasqyruar përfitimet nga çmimet e larta të karburanteve dhe metaleve. Fondi llogarit se inflacioni në shumicën e vendeve do të kthehet përsëri në normat para-pandemike vitin e ardhshëm, sapo kufizimet e furnizimit të lehtësohen, por prap mbetet e pasigurt.

Në planin afatgjatë, rimëkëmbja ekonomike parashikohet të mbetet e pabarabartë nga vendi në vend. Kjo, argumenton Fondi, reflekton dy gjëra.

E para është "pabarazia në vaksinim". Gati 60% e njerëzve në botën e pasur janë vaksinuar plotësisht kundër Covid-19, duke lejuar që jeta atje të kthehet në normale, krahasuar me vetëm 36% në ekonomitë në zhvillim dhe mezi 5% në vendet e varfra. Kjo pabarazi përforcohet nga faktori i dytë: ndryshimet në fushën fiskale.

Në vitin 2020 vendet e pasura dhe të varfra, liruan politikat buxhetore për të mbrojtur familjet dhe bizneset nga dëmi i kufizimeve. Këtë vit mbështetja fiskale në botën e pasur parashikohet të mbetet po aq bujare sa ishte vitin e kaluar, duke i lënë kohë sektorit privat të ngrihet në këmbë (madje duke çuar në një mbinxehje në Amerikë). Në të kundërt, tregjet në zhvillim kanë tkurrur deficitet e tyre buxhetore.

Rezultati do të jetë një ekonomi globale me dy shpejtësi.

Prodhimi në botën e pasur pritet të kthehet në trendin e tij pozitiv si para pandemisë deri në vitin e ardhshëm dhe pastaj të rritet mbi të. Megjithatë, për pjesën tjetër të botës, PBB-ja pritet të mbetet shumë më poshtë trendit të paktën deri në vitin 2025. Plagët e shkaktuara nga pandemia nuk do të shërohen për ca kohë.

Burimi: The Economist/Përshtati:Gazeta “SI”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë