Menaxhim

FMN: Nuk ka transparencë për fondet e tërmetit dhe Covid. KLSH të publikojë raportet

Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se qeveria shqiptare nuk është treguar transparente për përdorimin e fondeve publike mbi rastin e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë Covid-19.

 Fondi inkurajoi KLSH-në të përfundojë dhe të publikojë raportet e auditit për menaxhimin e pandemisë dhe projektin e rindërtimit.

“Duhen masa për të rritur transparencën dhe llogaridhënien lidhur me shpenzimet e kryera me procedura emergjence. Këto masa duhet të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe përdorimi i fondeve të rindërtimit duhet të jetë subjekt i kontrollove standarde të menaxhimit të financave publike” sugjeroi Fondi.

Më tej, deklarata e FMN-së, cilësoi “Mirëpresim publikimin e afërt të raportit të auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për shpenzimet e lidhura me tërmetin dhe pandeminë në vitin 2020”.

Projekti i rindërtimit të tërmetit vetëm gjatë këtij viti ka ka në dispozicon 240 mln euro, por herë pas here ka pasur probleme me transparencë, e vënë re dhe nga disa autoritete vendase.

Ndryshe nga zërat e tjera të shpenzimeve, fondet e rindërtimit do të mbartën vit pas viti në buxhetet pasardhëse deri sa të realizohen të gjitha investimet e programuara.

Shumica e projekteve të mëdha po ndërtohen me donacione, teksa qeveria e ka rritur borxhin publik pikërisht për financimin e programit. Në fondin total të rindërtimit mungon transparenca se sa fonde janë nga donatorët dhe sa nga burimet e brendshme buxhetore.

Krahas transparencës për fondet e tërmetit, në deklaratën e fundit, FMN bëri thirrje për frenim të shpenzimeve jo të domosdoshme dhe kritikoi ashpër projektet e parteritetit publik privat (PPP).


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë