Editorial

Rama qeveris, por Arben Ahmetaj menaxhon qeverisjen

Harku i pakënaqësive të FMN-së për mungesën e transparencës se si janë përdorur fondet për rindërtimin nga tërmeti është tërhequr aq fortë sa kush ka pak kujtesë e imagjinon se shigjetat e lëshuara prej tij janë ndrejtuar më lart se Arben Ahmetaj, për të shënjestruar një mënyrë qeverisjeje.
Padurimi i FMN i treguar këtë javë për t’u njohur edhe me raportin e KLSh-së rreth kësaj çështjeje dhe konkluzionet e dala nga auditimi se Ministria për Rindërtimin e drejtuar nga zoti Arben Ahmetaj, nuk ka asnjë dokumentacion, madje ka refuzuar të japë, nuk i jep barrën e përgjegjësive vetëm atij; paçka se konstatimet janë të rënda dhe kaluan fare në heshtje.
Zoti Ahmetaj përfaqëson veten në krye të punëve që ai ka marrë përsipër. Por ai nuk është dhe nuk ka qenë një gur shahu dosido në kabinetet e socialistëve që kur ata erdhën në pushtet. Ai është ideatori dhe madje mbikëqyrësi i parave të projektve më të mëdha programore me të cilat socialistët dhe zoti Rama erdhën në pushtetin që po e gëzojnë prej tre mandatesh rresht.
Zoti Ahmehtaj, sot zëvendëskryeministër në kabinetin e dalë prej zgjedhjeve të qershorit, është mbrojtësi dhe ideatori i planit të madh prej 1 mld eurosh prej koncesioneve me formulën e famshme të PPP-ve.
Shumë koncesione të dhëna në shëndetësi, infrastrukturë etj, jo vetëm kanë qenë të dyshimta dhe tepër të kontestuara por kanë pasur kosto të lartë për taksapaguesit.
FMN tha së fundi se pagesat për koncesionet kapin gjysmën e buxhetit të shqiptarëve dhe janë një kërcënim për stabilitetin e financave publike.
Pas tërmetit, zoti Ahmetaj u ngarkua edhe me administrimin e fondeve të huaja dhe vendase për rindërtimin. Sipas ekspertëve të FMN, të cilët janë aq të zotë sa të gjejnë edhe të çarat më të vogla në thasët e buxheteve të qeverive, përdorimi i këtyre parave është bërë në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies.
Zoti Ahmetaj diktoi buxhetet edhe për pagesat e inceneratorëve që djegin plehërat përmes disa formulave asnjëra e ngjashme me tjetrën dhe me kosto të atakuara fort e të rënda për arkën publike.
Me pandeminë, zoti Ahmetaj ishte i ngarkuari i posaçëm i kryeministrit për menaxhimin e blerjeve të vaksinave. Por siç thotë edhe KLSh, ministria e tij nuk ka dorëzuar asnjë dokument për t’u kontrolluar edhe pse e ka detyrim ligjor.
Së fundmi, zoti Ahmetaj është ai që do të menaxhojë krizën financiare të shkaktuar nga mungesa dhe rritja e çmimeve të energjisë elektrike.
Mënyra se si ai “qeveris” këto projekte kaq të mëdha dhe kaq domethënëse për socialistët, është përcaktuese në formëzimin e fytyrës së qeverisjes së tyre përgjatë tre mandateve. Ai faktikisht është më i fortë edhe se kryetari i Bashkisë së Tiranës që gëzon pushtetin mbi një buxhet të madh dhe interesa ekonomike të shumëfishta.
Kryeministri është makinisti i trenit të socialistëve, por me sa duket zoti Ahmetaj me kaq fuqi financiare që ka në dorë, është makinisti i dytë pas tij, ai që furnizon me qymyr kaldajën e tejnxehur nga vrulli i lopatave.
Zoti Ahmetaj nuk ka as tagrin, as klasin dhe as fuqinë e kryeministrit në skenën politike për të përcaktuar rrjedha dhe ngjarje, por ama mënyra se si ai ka menaxhuar gjithçka, me kaq shumë kosto, probleme dhe kaq shumë të atakuar, i japin qeverisjes së zotit Rama një formë të papëlqyer. Dhe çka është më lehtësuese për të, ai nuk do të mbajë as përgjegjësinë politike sepse atë e ka kryeministri dhe as barrën financiare sepse atë e ka publiku. Ndaj për zotin Rama do të ishte e këshillueshme që ta liberalizonte menaxhimin e qeverisjes së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë