Ekonomi

FMN: Eurozona duhet të rrisë shpenzimet për të rimëkëmbur ekonominë

Vendet e Eurozonës duhet të rrisin shpenzimet e qeverisë me një shtesë prej 3% të PBB gjatë vitit të ardhshëm, në mënyrë që të zbutin ndikimin ekonomik të pandemisë nga Covid-19, tha Fondi Monetar Ndërkombëtar ditën e djeshme, e mërkurë.

Blloku i 19 vendeve parashikohet që të rimëkëmbet më ngadalë sesa partnerët e tij kryesorë tregtarë sipas FMN, kjo për shkak të vonesave në vaksinim, kufizimeve të zgjatura dhe një stimuli më të vogël fiskal sesa po zbatojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

FMN  tha se ekonomitë e përparuara europiane pritet që të ulin mbështetjen e tyre shtesë fiskale nga 7.5% e PBB në 2020, në rreth 6.5% këtë vit.

Një rritje e mëtejshme e shpenzimeve publike do të nxiste rritjen e bllokut me 2% dhe do të ulte shanset për humbjen e përhershme të vendeve të punës, investimeve dhe prodhimit për shkak të krizës.

Kohët e fundit FMN shkurtoi parashikimin e saj të rritjes për Eurozonën këtë vit nga 4.5% në 1.5% të PBB-së deri në vitin 2025 dhe vlerësoi se ajo do të përballet me një humbje të prodhimit afatgjatë në krahasim me periudhën para Covid-19.

"Ndërsa politika monetare bëhet më pak efektive në rritjen e prodhimit, politika fiskale duhet të luajë një rol gjithnjë e më të madh. Masat fiskale për të stimuluar investimet dhe për të lehtësuar krijimin vendeve të punës do të përshpejtonin rimëkëmbjen.”

Christine Lagarde, presidente e Bankës Qendrore Europiane, e krahasoi ekonominë e Eurozonës  me një pacient që dilte nga kujdesi intensiv, por ende mbështetej në dy paterica.

 “Programi fiskal i nisur nga qeveria e SHBA pritet që të sigurojë një rritje prej 0.3 pikë përqindjeje të PBB-së së Eurozonës dhe një ngritje të inflacionit me 0.15% deri në 2023.”-shtoi Lagarde.

Disa vende europiane janë duke rritur planet e tyre të shpenzimeve. Qeveria gjermane muajin e kaluar miratoi një buxhet shtesë me  60 miliardë euro dhe kabineti holandez po diskuton gjithashtu shpenzimet shtesë.

Mario Draghi, kryeministri i Italisë dhe paraardhësi i Lagarde në BQE, po përgatit një paketë të re masash stimuluese me vlerë deri në 40 miliardë euro, rreth 2.5% e PBB-sw, e cila mund të shtyjë deficitin e buxhetit të Italisë këtë vit mbi 10% të PBB-së. Kjo do të ishte hera e parë që deficiti i vendit ka arritur shifër dyshifrore që nga fillimi i viteve 1990.

Që kur mori detyrën dy muaj më parë ,Draghi ka argumentuar se vendi i tij dhe të tjerët në Europë duhet të sigurojnë mbështetje të konsiderueshme për ekonomitë e tyre në mënyrë që të zvogëlojnë ndikimin e bllokimeve pandemike. Draghi pritet të paraqesë planin e tij në dy dhomat parlamentare të Italisë për miratim në javën e fundit të prillit.

Qeveritë e BE do të paraqesin plane në Bruksel për mënyrën se si ata do të planifikojnë të shpenzojnë pjesën e tyre të fondit të rimëkëmbjes prej 750 miliardë euro.

Megjithatë, paratë nuk do të fillojnë të shpërndahen para qershorit pasi disa qeveri ende nuk kanë miratuar planin.

Burimi: Financial Times


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë